
TIRANË- Dakortësia e Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha me Partinë Socialiste për t’i hapur rrugë normalizimit të funksionimit të Kuvendit ka ngjallur këtë të martë reagime të shumta. Ka nga ata që e mbështesin, por dhe nga ata që e kritikojnë, duke mos nguruar ti quajnë dhe pazare.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Sipas Bashkimit Europian një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri: Mirëpresim lajmin për rikthimin e normalitetit në Parlament. Siç kemi thënë dhe më parë, një parlament që funksionon mirë është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, i cili është objektivi strategjik i vendit, i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Po ashtu selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përshëndetur dakortësinë e arritur këtë të martë në Konferencën e Kryetarëve. Sipas SHBA-së, institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit,
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e inkurajuar nga njoftimi për rikthimin e rendit normal në Parlament. Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit.
Ndërkohë reagime të forta ka pasur dhe nga ata që kundërshtojnë një marrëveshje të tillë. Kështu, menjëherë pas njoftimit të një dakortësie mes Gazment Bardhit, i cili u “mandatua” dhe nga Sali Berisha për negociata me Bledi Çuçin, Enkelejd Alibeaj në emër të PD-së zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha, i ka cilësuar si pazare të vjetra në kurriz të shqiptarëve.
Në një deklaratë për mediat Enkelejd Alibeaj u shpreh se marrëveshja e sotme ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore. Sipas tij, as kryeministri Edi Rama dhe as kryedemokrati Sali Berisha nuk duan një sistem të ri, ndaj edhe duan të sabotojnë punën e bërë nga Komisioni.
Enkelejd Alibeaj: Tashmë që ra sipari i negociatave të fshehta dhe që publiku u njoh, mund të thuhet me gojën plotë se, asgjë e re nga fronti i pazareve të vjetra! Sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje ka qenë një gënjeshtër e stisur keq që, herët a vonë, do të dilte në dritë. E gjithë nëpëkëmbja e demokratëve për muaj me radhë nuk ka pasur asgjë në interes të tyre dhe të familjeve të tyre, por gjithçka ka qenë në interesin e një grupi të vogël njerëzish që luftojnë për të mbajtur fort njëri-tjetrin në lojë, sepse rënia e njërit i hap rrugë automatikisht dhe rënies së tjetrit. Tashmë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik, marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008, ai në pushtet dhe ata në një opozitë gjithmonë dhe më të paktë. Gjithashtu, të godasë SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë. Ashtu siç e kishim paralajmëruar, kjo marrëveshje e sotme, më së pari, ka si qëllim të godasë Reformën Zgjedhore, sepse as Edi Rama as Sali Berisha nuk duan një sistem që t’ua heq atyre monopolin e listave dhe t’ua japë qytetarëve të drejtën e zgjedhjes. Asnjë prej aktorëve të politikës së vjetër nuk e duan Shqipërinë një Zonë Zgjedhore, sepse vetëm duke e fragmentarizuar e kontrollojnë dhe e manipulojnë më lehtë. Asnjë prej tyre nuk e do barazinë e votës së çdo shqiptari, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në domenë, ku secili e quan pronë të tijën pjesë të caktuara të saj. Asnjë prej politikanëve që duhet t’i përkisnin së shkuarës, nuk e duan heqjen e hersit zgjedhor, sepse e gjithë lufta këto kohë është bërë me premtimin për të qenë në vende të sigurta në listat e vitit të ardhshëm. Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët më të mëdhenj të votës së diasporës, sepse herë njëri dhe herë tjetri, janë shkaktarët kryesorë të emigrimit të shqiptarëve, ndaj ata do të bëjnë gjithçka për të mos e realizuar një gjë të tillë. Ndaj jam sot këtu për të denoncuar këtë pazar në kuriz të njerëzve dhe për interesa të ngushta vetjake. Shqiptarëve ju duhet një reformë zgjedhore që i jep fuqi votës se tyre, dhe mundësi për të vendosur ata kush do ti përfaqësojë në kuvend e qeverisje. Ky ka qenë, është dhe do të jetë qëllimi i Partisë Demokratike.
Ndërsa deputetja demokrate Flutura Açka, në një pronocim për Report Tv është shprehur se shpreson që pas kësaj marrëveshje të arritur të mos ketë një skenar të errët.
Flutura Açka: Më ç’pashë ishin marrë vesh më parë, pasi oferta bujari vinte nga vetë socialistët. U la që nesër të vendoset për cilët komisione, nga dy që do të jepen. Druaj se është parathënia e bllokimit të Reformës në Drejtësi, për të ruajtur status quonë dhe me shënjestër të largët (por shumë të afërt SPAK dhe reformën në drejtësi). E them ketë për shkak te fshehtësisë së negociatave. Nëse shkohet drejt kësaj, do të jetë fatale për vetë opozitën që do të amnistojë Ramën të parin. U tha që parlamenti nuk ka funksionuar. Pyetja që bëra: Po me ligjet që kaluan pa diskutim, ligjet qe kaluam pa kuorum, çfarë do te behet? Nuk mora përgjigje. Me sarkazëm iu kërkova një komision hetimor për të shkallmuar SPAK. Sigurisht që fjalët e mia mund të duken si poezi, por poezi janë edhe vajet. Në do te vajtojmë shpejt demokracinë nëse ka ndonjë skenar të errët, që sot nxituam ta veshim me “kujdesin” e ndërkombëtarëve".
Ndërkohë kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, një aleat i vjetër i demokratëve ka preferuar të qëndrojë larg negociateve duke u shprehur se PD dhe PS duhet ta zgjidhin vetë.
Dashamir Shehi: Nuk jam i pranishëm. Le ta zgjidhin vetë ata që kanë përgjegjësi se ndryshe fshihen pas nesh. Uroj të kthehen në parlament dhe të bien dakord për ato dy komisione hetimore. Unë kam kërkuar më shumë kam kërkuar 4, por ata e dinë vetë. Duhet të kthehet normaliteti.
Në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord parimisht për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, për sterilizimin, dhe për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve. Po ashtu në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, që do të përbëhet nga 4 anëtarë, dy nga secila palë.Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave. Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian./ZËRI