TIRANË- Asnjë zhvillim i ri nga gjyqi për masakrën e Gërdecit në Gjykatën e Posaçme. Sërish edhe sot, ish-ministri i Mbrojtjes kërkoi përmes avokatëve të tij që dëshmia e shtetasëve amerikanë të bëhet me video konferencë. Për këtë kërkesë edhe prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shfaqën dakord.
Në rastin që kërkesa nuk do të merret parasysh, mbrojtja e Mediut, e përfaqësuar nga dy avokatët e tij, Ardian Visha dhe Henrik Ligori, iu drejtua gjykatës me një tjetër kërkesë. Por me tone të larta, kërkuan respektimin e kërkesave të tyre, për gjykimin e drejtë të klientit të tyre, duke u shprehur se nuk mund të shpallet fajtor, vetëm sepse "ashtu duhet", pa pasur provat e mjaftueshme.
"Nëse pyeten amerikanët, ndërmjetës të jetë gjeneral major avokati Andrew Turley. Nuk mund ta kaloni kështu. Duhet të detyroni prokurorin të provojë aktet dhe provat. Si qenka kjo kështu? Duam të provojmë fajsinë për t’i bërë qejfin miletit, të kënaqet SPAK me një vendim fajësie? Ky është një proces shterpë, nuk pjell dot fajësi, nuk lind dot prova që implikojnë zotin Mediu në shpërthimin e Gërdecit,"- thanë avokatët e Mediut në seancën e sotme.
Por pavarësisht pretendimeve, GJKKO vendosi që dëshmia të merret nga agjente të FBI dhe në prani të një avokati amerikan qe do te mbroje interesat e Fatmir Mediut. Ndërkohë mësohet se seanca e radhës me 15 maj në oren 10:00.
Seancën e kaluar, Mediu kërkoi që marrja në pyetje e amerikanëve të bëhej përmes një videoconference, në mënyrë që të gjitha palët në proces të kenë akses mbi këto dëshmi.
"Ekspertët amerikanë dhe prokuroria vetë kanë thënë që shkaqet janë të panjohura. Ne e kemi bërë të qartë mendimin tonë, kemi kërkuar një diskutim aktiv me kompaninë SAC, do të ishte më mirë të komunikonim përmes videokonferencës, dhe jo letërporosive. Unë nuk mendoj që kodin e procedurës penale e ka bërë Fatmir Mediu, për këtë kam kërkuar që të zbatohet pjesa formale e aktit. Do të ishte në interesin e medias, për të mësuar atë që ka ndodhur. A është vetëm faji i asaj karroce për shpërthimin? Nuk mund të zbardhim të vërtetën mbi hipotezat,”- u shpreh Mediu në përfundim të seancës në GJKKO. Ndërsa shtoi se kërkon që vetë ai të merret në pyetje në fund të seancave të dëshmive, në mënyrë që të njihet me 'rrëfimet' e personave të tjerë dhe të hartojë mbrojtjen e tij.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI