TIRANË- Shtyhet edhe sot seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me çështjen e Gërdecit. Në këtë seancë gjyqësore në GJKKO, Mediu nuk pranoi sot të jepte deklarime para hetuesëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilët e akuzojnë për "shpërdorim detyre". Në fjalën e tij para mediave që prisnin jashtë SPAK, Mediu tha se kërkon që të merret në pyetje në fund të seancës, në mënyrë që të njihet me dëshmitë e të gjithë personave të tjerë, për të hartuar kështu edhe mbrojtjen e tij. Por shtoi se deri më tani nuk ka dalë asnjë fakt që e implikon me masakrën ku u humbën jetë njerëzish. Ndër të tjera, gjithashtu pretendoi se çështja e tij përdoret politikisht sa herë që ka fushata elektorale, siç është bërë përgjatë 17 viteve të fundit.
"Jam në dispozicion të pyetem në fund të procesit. Nuk duan ta mbyllin, e mbajnë për çështje politike në çdo fushatë,"-është shprehur ndër të tjera ish-ministri.
PJESË NGA PRONONCIMI PËR MEDIAT:
Mediu: E kam theksuar se 17 vjet nuk jam pyetur. SPAK kishte kohë 2 vjet jo vetëm të më pyeste por edhe të korrigjonte veprimet e paligjshme që ka bërë Prokuroria e mëparshme. Mendoj që është në shërbim të të vërtetës që të pyetem në fund të procesit. Pse në fund? Sepse mendoj që gjithsecili të dijë rrethanat e dëshmive por edhe argumentat shkresorë.
Thatë se ky proces është manipuluar për 17 vjet, çfarë doni të thoni?
Mediu: Për këto që do ta mësojë të vërtetën ka dalë qartë që nuk ka asnjë fjalë të vetme, jo më fakt që të implikojë ministrin në shpërdorim detyre. Ministri ka respektuar autoritetet civile dhe ushtarake. Si një ministër civil ka respektuar vendimmarrjen ushtarake dhe po ashtu ka kërkuar me shkrim me urdhër që të raportohet më mënyrë periodike që të zbatohen urdhërat e ministrit, nuk ka asnjë gërmë që atë që ndodhi në Gërdec që ta cilësonte si të paligjshme. Mendoj që në 17 vite është bërë një histori mediatike duke luajtur me ndjenjat e familjarëve që kanë humbur familjarët e tyre dhe për ta mbajtur gjallë para çdo fushate elektorale. Po ashtu më bën të lidhem me kërkesën tjetër të prokurorisë për të pyetur përfaqësuesit e kompanisë SAC, është fakti që një kompani që ka lidhje me ministrinë e Mbrojtjes, shihet si element sporadik i këtij procesi. Në një kohë që mendoj që përgjegjësitë e shqiptarëve dhe të tjerëve janë njësoj përballë ligjit.
Pse kërkoni që pyetja dhe letërporosia të bëhet me videokonferencë?
Mediu: Nuk e kërkuam vetëm ne, e kërkuan edhe familjarët. Kjo është më e mira rrugë për faktin se e bën më të plotë procesin për pyetjet që i bëhen këtyre dëshmitarëve. Dua të theksoj edhe njëherë një fakt të thjeshtë, nëse duam të vërtetën, ajo del me ballafaqim. Shoh dëshirën për të mos u marrë në konsideratë qoftë edhe nga dëshmitarët e prokurorisë, dëshmi që ata kanë bërë në procesin e hetimit. Dhe për më tepër mendoj që padyshim pyetja e përfaqësuesit të kompanisë do të ishte shumë herë më e plotë nëse do të dinim pyetjen si të gjitha palëve për t'i shkuar të vërtetës deri në fund.
Sa i përket pyetjes së Patrick Henry dhe të 4 përfaqësuesve të tjerë të kompanis “SAC”, hetuesit e SPAK kërkuan që procedura të zhvillohet me anë të letërporosive, kjo edhe për shkak të ndryshimit të orës me Shqipërisë dhe Amerikën. Por për këtë pjesë avokatët e Mediut por edhe përfaqësuesi i familjarëve të viktimave kërkuan që seanca të zhvillohej me video-konferencë. Lidhur me këtë çështje ende nuk ka një vendim. Pritet që të caktohet në seancën e radhës, e cila është lënë për t'u zhvilluar më 27 mars.
Përveç Mediut, dëshmitari i vetëm i paraqitur në seancë, si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur, ishte Dashnor Caushi, i cili sot nuk dha pëlqim të jepte dëshmi. Por sapo ka përfunduar fjalën e tij, hetuesit i kanë lexuar dëshminë e dhënë në vitin 2008, kohë kur shprehej: Më ka marrë në telefon edhe ministri i Mbrojtjes për të më pyetur çfarë ka ndodhur me urdhrin për kalimin e municioneve ndërmarrjes Meico. Përveç tij, ndonëse ishin thirrur, sërish nuk u paraqitën për të dëshmuar Denis Hajdari, Anjola Agolli dhe Luan Hoxha.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI