Politikë

'Reforma Zgjedhore', Gjiknuri: Siguroni mbledhje fizike, ose ejani online! Alibeaj kërkesë Nikollës

Pas fjalës së tij, bashkëkryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që puna të zhvillohet fizikisht në sallë.

k.m.
'Reforma Zgjedhore', Gjiknuri: Siguroni mbledhje fizike, ose ejani
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Komisioni i Reformës Zgjedhore ka zhvilluar sot mbledhjen e parë online, ku është miratuar me unanimitet votash, kalendari i punimeve. Fjalën e parë nga mbledhja e mbajti bashkëkryetari i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i cili tha se janë mbledhur online për shkak të trazirave të shkaktuara nga deputetët e Partisë Demokratike. Pas fjalës së tij, bashkëkryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla që puna të zhvillohet fizikisht në sallë. Sipas tij, autoritetet e Kuvendit duhet ta garantojnë diçka të tillë dhe jo të tolerojë demokratët e tjerë që të prishin zhvillimin e mbledhjes. Në kundërpërgjigje, Gjiknuri tha se administrata nuk mund të bëhet me faj, pasi janë deputetët ata që duhet të respektojnë etikën e komunikimit.

PJESË NGA KOMISIONI:

Gjiknuri: Mirëdita! Si edhe u njoftuam më parë, kjo mbledhje do të zhvillohet online për ato arsye që dihen, në pamundësi për ta mbledhur fizikisht Komisionin e Reformës Zgjedhore, keni qenë dëshmitarë sesi jemi penguar. Ku ka më mirë sesa një mbledhje me prezencë fizike, por fatkeqësisht një pjesë e opozitës e ka bërë të pamundur zhvillimin e kësaj mbledhje. Ky Komision është gjithëpërfshirës. Të gjithë e kanë të drejtën që të bëjnë propozime. Nuk mundet që në fillim të paragjykojnë fundin e një gjëje kur nuk ka nisur ende. Prandaj i bëj thirrje kolegëve që të na mundësojnë mbledhjen fizike, ose të marrin pjesë online nëse e kanë të pamundur. Jemi në rrugën e duhur, me intensitetin e duhur mund ta mbarojmë këtë punë deri në mars. 

Alibeaj: Autoriteti që ka detyrimin ligjor është kryetari i Kuvendit që të sigurojë kushtet për mbledhjen. Për arsyet e veta, ajo ka lejuar, apo toleruar moszhvillimin e rregullt të këtij komisioni dhe jo vetëm. Thirrja ime siç ishte dhe një javë më parë i adresohet zonjës Nikolla që të garantojnë zhvillimin normal të këtij Komisioni dhe jo vetëm. Nga ana ime do të jetë kërkesë sistematike.

Gjiknuri: Unë nuk dua të zgjas, dua të bëj një koment të vogël. është e vërtetë që mbledhja fizike është e përshtatshme dhe të gjithë do e dëshironim por do të ishte e pavend që t'i vihet faji administratës së Kuvendit që deputetët të bëjnë akte vandale. Ndryshimet në rregulloren e Parlamentit kanë parashikuar masa. Nuk ka ça bën administrata e Kuvendit, unë e them këtë...kemi shkuar në variantin online sepse deputetët nuk respektojnë etikën. Online është mënyra alternative, por jo e dëshiruara./ZËRI

Poll

MOS HUMB