TIRANË-Kuvendi do të mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në rend dite janë parashikuar 6 interpelanca. E para është ajo me ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, ndaj të cilit deputetë të Partisë Demokratike kërkojnë sqarime për situatën e krijuar në Shqipëri lidhur me planin për të ndërtuar një resort luksoz brenda në zonën e mbrojtur të Nartës.
PD kërkon transparencë mbi bazën ligjore të projektit, studimet për ndikimin në mjedis apo për respektimin e legjislacionit për zonat e mbrojtura. Një interpelancë është thirrur edhe ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari lidhur me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në Lozhan të Maliqit ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij. Ligjvënësit e opozitës kërkojnë sqarime mbi mënyrën e organizimit dhe të drejtimit të operacionit policor.
Po ashtu deputeti Agron Shehaj ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama lidhur me koncesionin “Për projektimin, ndërtmin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar”. Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj pritet të japë shpjegime për Durana Park, e thirrur në interpelancë nga demokrati Eno Bozdo, për procedurat e ndjekura dhe përdorimin e fondeve publike.
Edhe në seancën e kaluar diskutimet kryesore u përqëndruan lidhur me projektin në Zvërnec.