TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sot drejt Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që do të organizohet në kryeqytetin francez, Paris. Rama nuk do të jetë pjesë e seancës që do të mbahet sot në Kuvend, dhe as në prezantimin e Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2023. Mësohet se në Francë, në të njëjtin aktivitet do të jetë i pranishëm dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Pjesë e diskutimeve në forum do të jetë edhe lufta në Lindjen e Mesme, ku do të flitet mbi mënyrat për rivendosjen e paqes.
Forumi i Gjashtë i Paqes në Paris ku do të marrin pjesë edhe Rama e Kurti do të mbahet në Paris më 10 dhe 11 Nëntor 2023. Ai do të bashkojë të gjithë aktorët e qeverisjes globale, të cilët kanë ecur edhe një herë përpara për të rënë dakord për zgjidhje efektive kolektive për sfidat e shekullit të 21-të.
Vizita e Ramës në Paris vjen vetëm pak javë pas vizitës historike që presidenti Macron pati në Shqipëri, i pari president francez që ka vizituar ndonjëherë vendin tonë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Macron premtoi mbështetje ekonomike në disa projekte të rëndësishme për vendin tonë, por nuk dha një datë se kur Shqipëria mund të jetë gati për anëtarësimin në BE./Zëri.ai