
TIRANË- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është ndalur sërish tek marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë gjatë një interviste për gazetën greke Kathimerini. Ai ndalet dhe tek çështja e arrestimit të Fredi Belerit, i cili dhe pse në burg është një nga kandidatët e partisë Demokracia e Re për zgjedhjet në Parlamentin Europian. Gjatë fjalës së tij, ai tha se Shqipëria po përballet me probleme të shtetit ligjor dhe demokracinë.
Kyriakos Mitsotakis: Shqipëria po përballet me probleme të shtetit ligjor dhe demokracinë duke mbajtur në burg kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Udhëheqja e re e Maqedonisë së Veriut, nga ana e saj, është duke shkelur një marrëveshje ndërkombëtare, siç thashë më herët. Prandaj, të dy vendet duhet të respektojnë standardet e komunitetit. Ishte një vendim thellësisht politik, një akt i njohjes së rëndësisë që i kushtoj minoritetit etnik grek duke emëruar një njeri që është trajtuar shumë padrejtësisht nga shteti shqiptar. Kemi dy grekë etnikë, në fakt; kemi edhe Pirro Dhimën.
Ndërkohë sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe a do të vendosë Greqia veto si anëtare e BE-së, kryeministri grek nuk ishte shumë i qartë në përgjigjen e tij duke kënë të nënkuptohet se mund të ketë dhe surpriza. Po ashtu foli dhe për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, të cilat së fundmi kanë qenë të tensionuara.
Kyriakos Mitsotakis: Mendoj se mund ta kuptoni se mënyra se si ne zgjedhim të lëvizim diplomatikisht nuk është diçka që mund të jetë temë e një diskutimi të parakohshëm publik, ndaj do të tregoj vetëm qëndrimet që kam shprehur tashmë në lidhje me të ardhmen e tyre evropiane. Si dhe besimi se fqinjët tanë do ta kuptojnë së shpejti se prosperiteti i tyre varet nga bashkëpunimi i tyre me Greqinë./ZËRI