
TIRANË- Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar lidhur me ndryshimet e reja që pritet të bëhen në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2025. Me anë të një reagimi, teksa në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohet lidhur me ndryshimet, OSBE ka bërë me dije se e çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore, duke kërkuar që ky standard të mbahet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
"Ne mirëpresim përpjekjet aktuale ndërpartiake, të drejtuara nga gratë deputete, dhe shpresojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të garantojnë pozitën udhëheqëse të Shqipërisë në rajon e më gjerë në lidhje me përfaqësimin gjinor në parlament,"-shkruan OSBE.
Reagimi vjen teksa në Kuvend po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa së fundmi është shtuar edhe një amendament i propozuar nga deputete të Partisë Demokratike dhe Socialiste ,lidhur me formën e futjes në Kuvend. Në kërkesën e bërë nga zonjat e Kuvendit, 1 në 3 kandidatë fitues të jetë një grua./ZËRI