
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka folur pas seancës së Kuvendit e cila u mbyll pas 20 minutash, për shkak se deputetët e opozitës bllokuan sallën, si dita e parë e qëndresës dhe radikalizimit të aksionit të tyre. Shkak për këtë janë rrëzimet e 3 kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, që sipas Çuçit do të duhet të disktoheshin në një mënyrë tjetër. Sipas Çuçit, kjo sjellje e deputetëve të opozitës bëhet për halle të brendshme të PD-së dhe kjo për komisionet.
I pyetur nga gazetarët se pse nuk pranohet ndryshimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku Bardhi ka propozuar zëvendësimin e bashkëkryetarit nga Alibeaj te Bylykbashi, Çuçi tha se fillimisht do gjetur një dakordësi nga të gjitha palët politike, e këtu padyshim që i referohej edhe grupit të Lulzim Bashës. Teksa gazetarët i përmendën faktin se në Komision është ende Grida Duma si anëtare, Çuçi tha me lehtësi, se kjo mund të ndryshohej por jo bashkëkryetari. “Po mirë mo e ndryshojmë, por për bashkëkryetarin na duhet një dakordësi e gjerë, pasi kemi të bëjmë me një komision bipartizan”, deklaroi ish-ministri i brendshëm.
“PD ka hallet e saj që duhet ti zgjidhë brenda saj dhe të mos i transplantojë këtë të Parlamentin e Shqipërisë. Përbërja ndryshohet, bashkëkryetari duhet të mbart të gjithë konsensusin politik. Ne kemi dëshirën që sëbashku të bëjmë më të mirën për Shqipërinë.
Ka një vendim në fuqi për një komision. Kërkohet një bashkëkryetar që të mbart konsensus, jo duke mos pritur përgjigje dhe duke zaptuar platformën e qeverisë. Nuk kanë të drejtë të zaptojnë institucionet me dhunë. Është një e drejtë e opozitës për të ngritur kom hetimore, por nuk është absolute. Mos qenia absolute lidhet ngushtësisht dhe me objektin e komisionit hetimor. Jemi vetëm kundër objektit”, theksoi kreu i grupit të mazhorancës.
“Ka kërkuar kryetari i grupit parlamentar të PD, dhe mënyra se si e kërkoi duke zaptuar duke mos pritur përgjigjen e mazhorancës, duke bërë atë akt të dënueshëm, si mund të kërkojë konsensus një palë politike për një proces që themelin e saj ka koncensusin”, tha deputeti i PS.
Opozitës i janë rrëzuar kërkesat për ngritjen e 3 komisioneve parlamentare, dhe për këtë shkak gjatë ditës së sotme deputetët bllokuan seancë, e cila u mbyll pas 20 minutash. Ndaj tyre pritet që të ketë masa përjashtuese për seancën e javës së ardhshme, pasi Kuvendi ka paralajmëruar mbledhjen e Komisionit të Etikës. /Zëri.ai