
TIRANË- Të enjten pritet që të zhvillohet mbledhja e parë e nënkomisionit të posaçëm për Reformat në Kuvend, me nga 3 përfaqësues për secilën nga forcat politike. Ky nënkomision do të shqyrtojë të gjitha ligjet që kalojnë në Kuvend me shumicë të cilësuar, ndërsa çështja e parë që do të diskutohet është ajo për amnistinë penale, që prej muajsh zvarritet në Kuvend, për shkak se do 84 vota për t’u miratuar.
Ky Komision do të përbëhet nga 6 anëtarë, Oerd Bylykbashi nga PD zyrtare, Erisa Xhixho nga LSI, ndërsa anëtari i tretë nga radhët e opozitës është lënë bosh për një deputet nga grupi Basha. Por në kushtet kur Basha nuk do të çojë përfaqësues, Partia Demokratike do çojë anëtare zëvendësuese Dhurata Çupin.
Ndërkohë nga mazhoranca janë anëtarë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu. Një tjetër çështje e rëndësishme që pritet të diskutohet në këtë nënkomision është dhe Reforma Zgjedhore, e cila duhet të përmbyllet brenda këtij viti. Edhe pse deri tani palët nuk kanë treguar shumë vullnet për ndryshime të mëdha në Ligjin Zgjedhor në Shqipëri.
/ZËRI