
TIRANË- Nis puna për Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetari, përfaqësues i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka takuar sot në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, drejtorin e OSBE-ODIHR në Shqipëri, Matteo Meccacci. Lajmin e bërë vetë me dijë në rrjetet sociale, ku Gjiknuri zbardhi edhe disa nga çështjet e diskutuara gjatë takimit.
“Pata kënaqësi të takoja sot përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së në Shqipëri me të cilët diskutuam mbi procesin e reformës zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. I falenderova për mbështetjen e deritanishme dhe për gatishmërinë për të vazhduar këtë angazhim edhe më tej, përmes ekspertizës më të mirë nga ODIHR, e cila do të ndihmojë komisionin për të arritur zgjidhjet e duhura teknike në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve,"-shkruan Gjiknuri.
Pas Gjiknurit, delegacioni i OSBE në Shqipëri do të zhvillojë një takim edhe me Enkelejd Alibeaj, i cili bashkë me bashkëkryetarin socialist i kishin dërguar një letër drejtorit të OSBE-ODIHR, Matteo Meccacci, ku i kërkonin ekspertë të zgjedhjeve, në mënyrë që t'i asistonin në krijimin e Reformës së re Zgjedhore./ZËRI