
TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-drejtuesi politik i qarkut Shkodër, Ditmir Bushati ka folur rreth largimit të tij nga Partia Socialiste. Ai tha për “TCH” se nuk ishte zgjidhja e tij të largohej nga politika dhe e quajti këtë vendim si një “agjërim politik”. Ai tha se për shkak të prejardhjes së tij Shkodra për të ka qenë një emocion përtej politikës, dhe se kur ai kandidoi ka qenë një bastion i PD-së.
“Nuk ishte zgjedhja ime të ikja nga politika aktive. Kam qenë në periudhë agjërimi politik pas zgjedhjeve të 2021. Askush nuk mund të mohojë as bindjet e mia as përkatësinë time si socialist duke u përpjekur për të mos i rënë më gurë organizatës politike në të cilën kam qenë në funksione më të larta duke ruajture një lloj balance, duke besuar që partitë politike janë të mira publike.
Kur unë u ftova për të aderuar nga Edi Rama ngjante me Athinën e dikurshme, me kalimin e viteve PS më ngjan me Spartën se sa Athinën e Lashtë, po kuptojmë që po jetojmë në një botë më të ndërlidhur. Edhe për shkak të prejardhjes sime familjare Shkodra ka qenë një emocion përtej politikës për mua, donim të kishim një rezultat të shëndetshëm, ka qenë një bastion i PD. Nuk ka asnjë akuzë nga PD. Qëndrimet e mia sa i përket qasjes me Shkodrën koha i vërtetoi”, tha Bushati.
Ditmir Bushati në shtator të 2013 u zgjodh ministër i Jashtëm dhe e mbajti këtë post deri në 2019. Ai ishte një ndër drejtuesit e spikatur të Partisë Socialiste fillimisht në Tiranë dhe më pas si drejtues politik i qarkut Shkodër. /ZËRI