
TIRANË-Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar operacionin e SPAK, ku u lëshuan 50 urdhër arreste, mes tyre edhe ish-zyrtarë policie. Në një konferencë për mediat, Meta tha se “Metamorfoza” është një tablo e qartë e përfshirjes së Rilindjes në veprimtari kriminale. Sipas tij faktet e bëra publike sot janë ditur që para një viti, ndërsa thekson se duhej të ishte vepruar më parë.
“Metamorfoza është një tablo e qartë e përfshirjes së Rilindjes në veprimtari kriminale. Faktet që janë bërë publike sot janë ditur edhe para një vit. Është një operacion i karakterit propagandistik, përderisa edhe rezultatet e ndalimit të protagonistëve kryesore janë zero.Është gjithçka që kryhet nën diktaktin e Ramës. Duhet të ishte vepruar me kohë, me efikasitet, duhet të ishte vepruar para zgjedhjeve të 14 majit, por aty grupe duheshin atyre për të grabitur bashkinë e Shkodrës dhe shumë bashki të tjera dhe më pas për të prodhuar statistika. Ato dosje janë vënë në depoziton nga partnerët ndërkombëtarë”, tha Meta.
Kujtojmë se si pasojë e dosjes që njihet si “Metamorfoza 2” u goditën 7 grupe kriminale. Nga 50 urdhër-arreste në total, 14 prej tyre janë ekzekutuar në vendin tonë, ndërsa 6 të tjera jashtë shtetit, konkretisht 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë. Me masën e sigurisë sot do të njihen 10 të arrestuar. Nga ky hetim u zbuluan aleancat mes grupeve për të goditur njëri-tjetrin. Urdhër-arrestet u nxorrën për personazhe të njohur të botës së krimit dhe në to përfshihej edhe ish-deputeti Arben Ndoka dhe 4 zyrtarë policorë.