
TIRANË- Opozita do të zhvillojë sot një aksion të dyfishtë brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, ku do të mbahet protesta e parë pas dokumentarit të RAI 3, i cili e portretizonte Shqipërinë si një narkoshtet, ku operojnë lirshëm bandat kriminale. Deputetë demokratë, pritet që të futen në sallë, ku do të parashtrojnë kërkesën e tyre për mocion me debat me kryeministrin Edi Rama. Dhe më pas do tiu bashkohen qytetarëve në sheshin jashtë parlamentit.
Për të mbarëvajtur protestën, do të jenë të angazhuar qindra efektivë policie në terren, pasi edhe opozita ka deklaruar se protesta do të jetë masive. Policia ka marrë të gjitha masat për fikjen e zjarrit në rast se do të përdoret molotov apo djegie gomash, siç demokratët kanë bërë në protestat para Bashkisë së Tiranës.
Po ashtu policia ka njoftuar se prej orës 08:00 të mëngjesit dhe në vijim do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D'Ark dhe rrugën "Xhorxh Bush".
Në njoftimin e uniformave blu u bëhet thirrje organizatorëve të tubimit por edhe qytetarëve që do të marrin pjesë, që të respektojnë ligjin duke shmangur aktet e dhunës.
“Nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.”
Ndërkohë në rendin e ditës në Kuvend, socialistët parashikojnë ngritjen dhe votimin e anëtarësisë për dy komisione parlamentare, atë për antikorrupsionin, dhe për dizinformimin.
Me propozim të socialistëve, "Dezinformimi" do të drejtohet nga deputeti e Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërsa sekretare Etilda Gjonaj ndërsa anëtarë të tjerë janë propozuar deputetët Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Enslemvera Zake. Anëtarë të tjerë janë Mesila Doda dhe Fatmir Mediu.
Nga ana tjetër, Xhafaj do jetë në krye të anti-korrupsionit së bashku me Klotilda Bushkën, Eduard Shalsin, Etilda Gjonajn, Evis Kushin e Toni Gogun. Duke qenë se nga demokratët nuk ka asnjë propozim, socialistët kanë zgjedhur nga PD, emrat e Dhurata Çupit si zëvendëskryetare e Komisionit të Ligjeve, Jorida Tabakut si Kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane, Sorina Kotes si zëvendëskryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Por kanë përfshirë edhe Lulzim Bashën, duke bërë pjesë të Komisionit edhe Flutura Açkën, Kryetare e Komisionit për Arsimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
/ZËRI