
TIRANË- Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve që do të zhvillohej më 30 shtator në orën 12:30 është anuluar. Mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej më 30 shtator, ndërsa në shkresën që mban firmën e Kryeparlamentares Elisa Spiropali, thuhet se ajo do të zhvillohet në një datë të mëvonshme. Shtyrja e mbledhjes vjen pasi, gjatë ditës së sotme kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat njoftoi se pas vetëdorëzimit të deputetit Ervin Salianji në Policinë e Tiranës, do të ndërpresin çdo marrëdhënie institucionale me shumicën socialiste, në Kuvend.
"PËR ANULLIMIN E MBLEDHJES TË KONFERENCËS SË KRYETARËVE, DATË 30.9.2024, ORA 12:30
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, të Rregullores së Kuvendit,
URDHËROJ:
Anullimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të thirrur në datën 30.9.2024, ora 12.30.
Mbledhja e parashikuar për tu zhvilluar më datë 30.9.2024, do të zhvillohet në një datë të mëvonshme.
Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për shpërndarjen me anë të postës elektronike zyrtare të urdhrit për anullimin e mbledhjes për anëtarët e Konferencës së Kryetarëve.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë", thuhet në njoftim.
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike. /ZËRI