
TIRANË-Sipas rezultateve paraprake, Partia Demokratike ka dalë forcë e parë, duke siguruar 29,484 vota ose 45.13%, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 27,585 vota ose 42.23% me një diferencë prej 1899 votash në favor të opozitës. Në bazë të këtyre rezultateve paraprake, Partia Demokratike arrin të sigurojë 4 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste merr 3 mandate në këtë qark.
Megjithatë, mbetet ende për t’u përfunduar numërimi i votës së diasporës për këtë qark, e cila mund të ketë një ndikim në shpërndarjen e mandateve. Sa i përket partive më të vogla, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 3,614 vota ose 5.53%, ndërsa koalicioni Euroatlantik ka marrë 1,594 vota ose 2.44%, por asnjë asnjë prej këtyre subjekteve nuk ka arritur të sigurojë mandate në Lezhë.
Zhvillimet e mëtejshme do të varen nga numërimi i votave të ardhura nga emigracioni, të cilat mbeten një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e bilancit përfundimtar të mandateve në këtë qark. Ndërkohë, pasditen e së martës pritet të nisë numërimi i votave preferenciale të kandidatëve në listë të hapur, vota të cilat do të përcaktojnë tre deputetët e listave të hapura që do të shkojnë në Kuvend./BIRN