TIRANË- Deputeti i zgjedhur i PD-së, Belind Këlliçi ka deklaruar se opozita do të përqëndrohet te denoncimi i shkeljeve zgjedhore të 11 majit, të asaj që ai e cilëson "farsë elektorale". I ftuar në News24, Këlliçi u shpreh se opozita nuk do të përsërisë gabimet e së shkuarës, pasi theksoi se këtë herë, Partia Demokratike do të ndjekë një qasje më të unifikuar dhe të kujdesshme. Ai shtoi se çdo organizim i mundshëm do të vendoset nga forumet më të larta të partisë, por vetëm pas raportit final të OSBE/ODIHR.
“Gabimin që PD bëri në vitin 2021 nuk do ta përsërisim në vitin 2025. Çdo riorganizim i mundshëm do të vendoset nga forumet më të larta të partisë, jo në mënyrë individuale. Deri në publikimin e raportit të OSBE/ODIHR, ne do të fokusohemi te dokumentimi dhe denoncimi i farsës elektorale. Nuk kemi një kalendar protestash për momentin. Vendimet do të diskutohen pas dorëzimit të raportit përfundimtar,” u shpreh Këlliçi.
Gjithashtu, Këlliçi shtoi se opozita është në pritje të një qëndrimi zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri, në mënyrë që të ndërmarrin hapa të tjerë politikë. Por, sipas Këlliçit, vendimet do të merren në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare./ZËRI