Politikë

"Prania Besnike"/ Rama ndan pamje nga takimi: Njerëzit të ndihen të qetë kur të vijnë të qajnë një hall

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar një video, ku shfaqen drejtuesit politikë dhe ministrat duke raportuar mbi takimet me qytetarët dhe çështjet e ngritura prej tyre.

zh.ll
"Prania Besnike"/ Rama ndan pamje nga takimi: Njerëzit të
edi rama

TIRANË- Kryeministri Rama zhvilloi të mërkurën një takim me ministra dhe drejtuesit politik të qarqeve, ndërsa këtë të enjte ka ndarë pamjet nga mbledhja. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar një video, ku shfaqen drejtuesit politikë dhe ministrat duke raportuar mbi takimet me qytetarët dhe çështjet e ngritura prej tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, tha se ankesat tashmë po përpunohen përmes një sistemi që përdor edhe Inteligjencën Artificiale: “Kemi një sistem, që e dëgjon ankesën dhe e çon përpara. Inteligjenca Artificiale na jep mundësinë që sapo të shtrohet problemi, të gjenerohet e-maili, që ngarkohet dhe me referencat ligjore, e gjen vetë informacionin se kujt institucioni i dërgohet”.

Nga ana tjetër, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vlerësoi pozitivisht reagimin e qytetarëve gjatë takimeve në terren. Sipas Demos, takimet janë pritur shumë mirë: “Takimet në terren janë pritur shumë mirë. Plus ne kemi dallëndyshet e para të suksesit. Jam i bindur që nga java në javë do formësojmë më shumë”.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, është shprehur se interesi i qytetarëve ka qenë më i lartë nga sa pritej në këtë fazë të parë: “Realisht nuk prisja që të vinin menjëherë kaq shumë njerz aq shpejt, por është dëshira për të ardhur, për të folur dhe për të dëgjuar e për të takuar”.

Edhe deputetja Ogerta Manastirliu e cilësoi “Praninë Besnike” si një nismë që, sipas saj, i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve: “Prania Besnike është ajo që njerëzit kanë pritur dhe kanë ngritur pritshmëritë e tyre”.

Ndërkohë, deputetja Belinda Balluku ka raportuar me shifra sa i përket ankesave të administruara nga qytetarët: “Kemi administruar 262 ankesa deri tani. Kemi bërë 14 dëgjesa, pasi kanë qenë të gjithë deputetët në terren. Kemi takuar rreth 300 qytetarë”.

Në qarkun e Lezhës, sipas drejtuesit politik Ermal Nufi, janë zhvilluar tre takime dhe janë regjistruar 34 ankesa: “Kryeministër, në qarkun e Lezhës janë zhvilluar tre takime të Pranisë Besnike. Deputetët kanë 34 ankesa. Çështjet kryesore lidhen me elektricitetin, rindërtimin, me legalizimet dhe nevoja për të ndërhyrë në infrastrukturë rrugore, kryesisht në rrugë e ura”.

Gjithashtu, kanë raportuar edhe deputeti Ulsi Manja dhe deputeti Blendi Çuçi. Po ashtu, edhe Arbjan Mazniku, Erion Malaj, Enea Karakaçi, etj.

Ndërkohë, në përfundim, kryeministri Rama deklaroi se Prania Besnike mbahet pa praninë e kamerave, edhe që qytetarët të mund të qajnë një hall, pa u ndjerë në siklet.

“Njerëzit nuk vijnë aty as për t’u shfaqur në televizor ose në Instagram, madje as duke u identifikuar fare që ishin aty dhe kjo do u japë mundësinë të gjithëve që të ndihen të qetë kur vijnë të qajnë një hall”, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë takimit.

"Prania Besnike" nisi me 4 shtator. Nisma është kërkuar nga kryeministri Edi Rama, me synim praninë e deputetëve pranë qytetarëve dhe evidentimin nga afër të problematikave në komunitet. "Prania Besnike" u njoftua nga vetë kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, duke deklaruar se kjo nismë do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës dhe do të bëhet gjithmonë për sa kohë ai do të jetë kryetar i Partisë Socialiste./ZËRI

Poll

MOS HUMB