Politikë

Propozimi i Ramës kundër korrupsionit/ Berisha në 'mëdyshje', Meta e Basha në 'një mendje': Kundër

Ndërkohë Bardhi u tregua i rezervuar sa i përket një komenti të qartë për nismën. Ai tha se PD do të ketë një koment për nismën pasi ajo të mbërrijë në Kuvend.

E.K
Propozimi i Ramës kundër korrupsionit/ Berisha në
Lulzim Basha, Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta

TIRANË- Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha nuk ka ende një qëndrim konkret sa i përket projekt-rezolutës së propozuar nga Kryeministri Edi Rama, kundër korrupsionit, të lançaur një ditë më parë në mbledhjen e përbashkët mes grupit të PS dhe kabinetit qeveritar. Gjatë fjalës së tij për mediat pas mbledhjes së grupit demokrat, Gazment Bardhi tha se PD është në mbështetje të çdo nisme që sipas tij, afron Shqipërinë me Bashkimin Europian. Ndërkohë Bardhi u tregua i rezervuar sa i përket një komenti të qartë për nismën. Ai tha se PD do të ketë një koment për nismën pasi ajo të mbërrijë në Kuvend.

Gazment Bardhi: Kur çështja e komisionit të vijë në parlament do te keni dhe qëndrimin e PD. Mbështetja jonë pa kushte ndaj çdo reforme që kërkon Bashkimi Europian, nuk ka qenë as e imponuar, as e shtirur, por buron nga ADN e forcës sonë politike që u krijua me misionin ‘Për Shqipërinë si gjithë Europa’. Prandaj çdo reformë, çdo iniciativë, çdo propozim që krijon mundësinë për ta çuar përpara këtë mision të Partisë Demokratike do të ketë kontributin tone.

Ndryshe nga Gazment Bardhi dhe Partia Demokratike e drejtuar nga Berisha, PD zyrtare, vulën e së cilës e mban Lulzim Basha është shprehur kundër. Kështu, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se PD zyrtare nuk do të jetë pjesë e Komisionit të Posaçëm të propozuar nga Rama.

Enkelejd Alibeaj: Me fjalë të tjera, synimi i deklaruar është të ndërhyhet në reformën në drejtësi nëpërmjet Parlamentit. Nuk e fshehin teksa në pikën 8 thonë që për këtë synim do të ngrihet një komision i përhershëm parlamentar. I hetuari kërkon të ndryshojë rregullat e atij që heton.

Edhe aleati i PD-së së Sali Berishës, Ilir Meta është kundër nismës së propozuar nga qeveria. Gjatë një konference për mediat, të mbajtur këtë të mërkurë, Ilir Meta u shpreh se nuk beson tek asnjë mekanizëm i propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Kjo sipas Metës, pasi kreu i ekzekutivit është përgjegjës për nivelin e korrupsionit në vend.

Ilir Meta: Nuk e kuptoj ç’është ky komision i posaçëm se ky është një vend që mbeti falë rilindjes duke u bërë laborator eksperimentesh të posaçme. Nuk mund të ketë një komision të posaçëm të ideuar nga Edi Rama që mund të synojë ti shërbejë kushtetutës.

Nisma u propozua një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama gjatë një mbledhjeje të përbashkët mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar. Drafti propozon ngritjen e një Komisionin të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Kështu do të rritet dhe llogaridhënia e institucioneve përballë Kuvendit të Shqipërisë. Ngritja e Komisionit të Posaçëm synon të rrisë “presionin” monitorues ndaj ekzekutivit, dhe institucioneve të tjera, duke i dhënë Kuvendit rolin, ku institucionet e tjera, përfshirë dhe ato të drejtësisë të japin llogari, për ecurinë e punës dhe luftës ndaj korrupsionit. Draft-rezoluta sipas PS, do të veprojë brenda kuadrit ligjor dhe Kushtetuese. Kjo sipas propozimit të PS ka si qëllim afrimin e vendit me Bashkimit Europian, e cila sipas PS, arrihet vetëm duke funksionuar shteti ligjor dhe llogaridhënia./ZËRI

Poll

MOS HUMB