
TIRANË- Deri më tani kishte zgjedhur heshtjen, por tashmë ka ardhur reagimi i parë nga drejtuesi politik i PD për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi. Në një postim në rrjetet sociale, demokrati ka bërë komentin e parë për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit. Humbjen, Bardhi ia atribuoi asaj që ai e quajti "bandë ministrash". Socialistët i akuzoi se përdorën shtetin dhe krimin për të marrë vota. Po ashtu, kishte dhe një falenderim për demokratët dhe të gjithë të përfshirët në procesin e zgjedhjeve.
REAGIMI I PLOTË I BARDHIT:
Një falenderim zemre
Me zemër të thyer se zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falenderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike! Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin!
Ju falenderoj me zemër për qendresën dhe besimin! Një falenderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur! Ne do të qendrojmë së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë!
/ZËRI