
TIRANË- Mazhoranca ka kaluar e vetme ligjet që ishin parashikuar sot në rendin e ditës, mes tyre dhe zgjatjen e afatit për ‘Investimet Stratregjike’, deri në fund të këtij viti. Me votat e PS është miratuar edhe projektligji për ‘Burimet Ujore’ dhe ai për “Turizmin”.
Deputetët e opozitës kanë vijuar me tensione në Parlament. Ata kanë bllokuar foltoren, teksa mbanin pankarta në duar dhe kanë shkaktuar zhurmë me bilbilë.
Ndërkohë, nënkryetarja e parlamentit, Ermonela Felaj ka bërë thirrje që seanca të vijojë normalisht, në nder të 7-8 Marsit.
“Sot është një ditë e veçantë. Në respekt të kësaj dite, të 7-8 marsit të urojmë mësuesit, edukatorët dhe pedagogët. Mendoj që do t’ia vlente sado pak respekt. Nuk kërkoj t’ju imponohem, por sjellja juaj sot duhet të ndryshonte në respekt të këtyre ditëve. E çelim seancën plenare”, tha ajo.
Sa i takon ligjit për investimet strategjike, Gazment Bardhi i Rithemelimit, hodhi akuza se ai bëhet vetëm për tiu shërbyer oligarkëve dhe grupeve kriminale. Sipas Bardhit, votimi nuk quhet i vlefshëm, pasi në sallë ishin vetëm 68 deputetë.
"Më pëlqen që jeni të lumtur. Në një seancë ku edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim. Që të hapet procesi i votimit duhet ë kenë votuar pro 71 deputetë. Deklarohet që janë 68 por kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interes të një grushti oligarkësh. Sot ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë nga ky ligj, është e rëndësishme për opozitën që parlamenti ti kthehet normalitetit. Dua të deklaroj që sipas rregullores dhe kushtetutës asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë pa u shpallur votimi nuk quhet i vlefshëm", tha Bardhi./ZËRI