Politikë

Pse injoroni rekomandimet e UNESCO-s? Interpelancë në Kuvend mes Zhupës dhe Gonxhjes, ministri: Kam respekt për temën

Në një interpelancë me ministrin Gonxhja, Zhupa tha se politikat e ndjekura nga qeveria Rama po bëjnë që zona të mbrojtura nga UNESCO të shpallen si zona në rrezik

E.K
Pse injoroni rekomandimet e UNESCO-s? Interpelancë në Kuvend mes
Ina Zhupa dhe Blendi Gonxhja

TIRANË- Është mbajtur sot në Kuvend, interpelanca mes deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa dhe ministrit të Ekonomisë dhe Kulturës Blendi Gonxhja, në lidhje me menaxhimin e parkut të Butrintit, që i është dhënë në menaxhim fondacionit amerikan.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa parashtroi disa pyetje për ministrin, duke nisur nga personat që kanë shkuar për inspektim në Butrint, te injorimi që sipas saj qeveria iu ka bërë rekomandimeve të UNESCO-s.

“Shkuat bashkë me Kumbaron, me një jurist privat. Çfarë funksionesh publike kanë këta njerëz që përfaqësojnë vendin në Unesco?”, tha Zhupa.

“Pse qeveria injoron të gjitha rekomandimet e UNESCO? Çfarë interesi ka qeveria të rrezikohet pasuria e mbrojtur? Pse nuk i pyesni për asgjë ekspertet tanë? Merrni të huaj”, tha Zhupa.

"Çfarë interesi ka shteti shqiptar që të hiqet pasuria nga mbrojtja apo që pasuria e tij e mbrojtur nga UNESCO të shpallet në rrezik, siç rrezikon Ohri nga punimet në Drilon-Tushemisht apo siç rrezikon Butrinti nga koncesioni që keni dhënë ju si qeveri, paraardhësja juaj Margariti apo Kumbaro?!

Pse nuk shfrytëzoni të gjithë kapacitetet intelektuale, akademike të arkeologëve historianëve shqiptarë, nuk pyesni për asgjë, por merrni të huaj, koncesionarë, merrni njerëz pa eksperiencë, ndërsa vetë raporti i UNESCO-s thotë se bordi i drejtorëve nuk ia kishin idenë Butrintit, raportin që ju, ministria, e fshehët nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë?!", vijoi Zhupa. 

Në përgjigjet e tij Gonxhja sqaroi se pjesë e projekteve janë dhe ekspertë shqiptarë.

“Përmendët dhe emra personash, por nuk më duket e udhës që të ndalemi këtu. Kam respekt për përkushtimin tuajin për temën por dhe ju si deputete. Ishte për t’u përshëndetur që vendimi në Komunitetin e Trashëgimisë kulturore ishte unanim. Nuk di të kem qenë me një person të tillë në funksion në takim në Paris. Di t’ju them se zoti Lorenc Bejko është përfaqësues i ICOMOS në Shqipëri dhe ndaj ishte në takimin në Unesco.

Ju mendoni se kjo është ‘thembra e Akilit’ por që për ne është arritje, me mbivendosjen e disa hartave kemi marrë vendimet e duhura. Kemi marrë këshilla dhe kemi bërë punë të mirë. Nuk është e vërtetë që nuk kemi përfshirë trupa shqiptare, pasi kemi marrë dhe shumë studentë nga bankat e shkollës. Fondacioni nuk ka lidhje me asnjë program biznesi. (Për çështjen e parkut të Butrintit)”, tha Gonxhja./ZËRI 

Poll

MOS HUMB