
TIRANË- Në intervistën për RAI 3, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e ngritura për lidhje të politikës me personazhë të krimit. Në fjalën e tij gjatë intervistës, Rama tha se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk kishte asnjë lidhje, por dha dorëheqjen, për shkak se i vëllai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Por po ashtu, i mëshoi gjatë faktit se edhe pse Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Në mbrojtje të tij, Rama u shpreh se përgjigjen Agaçi ua kishte dërguar por media italiane nuk e kishte publikuar, duke mos i dhënë më pas asnjë shpjegim. Nga ana e tij, gazetari italian, Giorgio Mottola u shpreh se intervistën e kishte kërkuar me zë, e jo me shkrim.
PJESË NGA INTERVISTA:
Rai3: Pyetja e fundit për PD-në..
EDI RAMA: Jo, nuk është pyetja e fundit, sepse keni ardhur tek unë për të marrë sqarime për atë gjënë e neveritshme dhe tani parashikoj një tjetër neveritje në horizont.
Rai3: Pse thoni një neveritje tjetër. Quhet hetim gazetaresk.
EDI RAMA: Jua them unë pse. Sepse këtu u hodhën emra, u hodhën histori, që nuk mbështeten aspak në fakte. Aspak. Ky tha kështu, ai tha ashtu, një tjetër tha… Për çfarë po flasim? Unë jam kryeministri i një vendi që ka shumë halle dhe më duhet të punoj. Ndërkohë, ju vihem në dispozicion me respekt. Më në fund, do të kem të drejtën të përgjigjem për një program ku nuk kishte replikë.
Rai3: E kërkuam replikën. I kam çuar disa herë kërkesën për intervistë.
EDI RAMA: Jo, nuk keni kërkuar asgjë. Madje, keni gënjyer edhe publikun italian, sepse i keni thënë që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ju ishte përgjigjur.
Rai3: Nuk pranoi kërkesën tonë për intervistë.
EDI RAMA: Jo.
Rai3: E botuam përgjigjen në faqen e internetit.
EDI RAMA: Jo, botimi në faqen e internetit erdhi më pas, kur ne ngritëm zërin. Po të mos kishim ngritur zërin, publikimi nuk do të ishte bërë.
Rai3: Nga këndvështrimi gazetaresk, përgjigjia ishte.
EDI RAMA: Nga këndvështrimi gazetaresk, ajo është një pocaqi dhe ju u shprehët se kishte refuzuar të përgjigjej. Ndërkohë, kishit marrë të gjitha përgjigjet. Unë kam parë që…
Rai3: Kjo është një intervistë dhe ju po më përgjigjeni.
EDI RAMA: Më fal, ju e keni bërë kërkesën me shkrim dhe kur e çuat kërkesën me shkrim, nuk thoshit që i dua përgjigjet edhe me gojë. I kërkuat me shkrim? I morët përgjigjet me shkrim. Dhe, jo vetëm që nuk i publikuat, dhe jo vetëm thatë që ai nuk ju ishte përgjigjur, po kur folët për gjërat e tij, thatë gënjeshtra. Gënjeshtra. Në rregull? Dhe, jo vetëm gënjeshtra, por e nxorët në një dritë të tillë, që shoh se, sipas jush, është e vetmja mënyrë për të hetuar, po nuk është e vërtetë, sepse nuk do të ishte mëkat nëse një hetim do të shkonte edhe në favor të të hetuarve tuaj. Domethënë, nuk duhet të keni gjithnjë ju të drejtë, që hyni për të gjetur fajtorë dhe tani njerëzit janë fajtorë, sepse ju duhet të justifikoni punën tuaj. Mund të bënit një hetim dhe, në fund, të thoshit “jo, Shqipëria nuk është narkoshtet”, sepse kjo është fyerje për një popull dhe fyerje për një vend.
Rai3: Këtë e kemi thënë, që ka akuza se është narkoshtet, nuk kemi elementet për të thënë që është narkoshtet. Në fakt, nuk jam këtu për t’ju thënë që jeni narkoshtet.
EDI RAMA: Aaa, paska akuza! Akuza ka edhe që Italia është një narkoshtet, atëherë, çfarë do të thotë kjo?
Rai3: Do të ishte një akuzë shumë e drejtë, sipas këndvështrimit tim.
EDI RAMA: Sipas jush?
Rai3: Është një shtet ku prania mafioze është shumë e fortë, mbi të gjitha, në institucione.
EDI RAMA: Aaa, një narkoshtet, Italia një narkoshtet. Vendi juaj është një narkoshtet dhe ju e thoni kështu, pa u menduar dy herë.
Rai3: Sepse jam patriot dhe besoj se që të them, të pranoj dobësitë e institucioneve italiane përballë pranisë mafioze është shumë patriotike.
EDI RAMA: Ju nuk e keni idenë se ç’është një narkoshtet. Nëse Italia do të ishte një narkoshtet, ju nuk do të kishit gojë të flisnit, se do ju varrosnin të gjallë në dhe.
Rai3: Ka mënyra të ndryshme për të groposur, Kryeministër, ka mënyra të ndryshme….
EDI RAMA: Po, e pashë, e pashë. Është edhe mënyra…
Rai3: Nuk duhet detyrimisht të të vrasin.
EDI RAMA: Jo, jo nuk ka nevojë. Liria e mendimit dhe e informimit mund të vritet edhe duke bërë gazetarinë tuaj. Nuk ka dyshim, sepse, thjesht, ke një telekamera, e përdor si armë, ke gjuhën dhe zërin dhe i përdor si plumba, ndërkohë që të tjerët janë vendosur aty sipas skenarit, për të arritur në konkluzionin e dëshiruar paraprakisht. Pra, njësoj siç e bënt e Enver Hoxha. Përpara vendoste kush ishte fajtori dhe pastaj i shkonte mbrapa që t’i binte. Edhe kjo quhet mënyrë demokratike për të vrarë.
Rai3: Nuk do të isha këtu të merrja dëshminë tuaj. Do të isha kufizuar me mbledhjen e gjithë dëshmive…
EDI RAMA: E keni bërë, e keni bërë.
Rai3: Po, ndërkohë jam këtu dhe do të raportoj të gjitha qëndrimet tuaja për çdo gjë që do të them.
EDI RAMA: E keni bërë, e keni bërë tashmë. Ju jeni këtu, sepse unë ngrita zërin. Ju nuk jeni këtu sepse e zgjodhët.
Rai3: Kryeministër, kam kërkuar…
EDI RAMA: Jo, jo nuk keni kërkuar asnjë intervistë zyrtarisht.
Rai3: Kryeministër, ju kam shkruar edhe në numrin tuaj privat, te zyra juaj e shtypit.
EDI RAMA: Nuk ka asnjë kërkesë për intervistë në numrin tim privat.
Rai3: Kemi shkruar madje edhe përmes postës zyrtare. Për këtë më duhet t’ju korrigjoj, se po thoni diçka të pasaktë.
EDI RAMA: Çështja është këtu. Mirë pra, po them një gjë të pasaktë.
Rai3: Për këtë. Unë kërkesën për intervistë jua kam bërë dhe jam këtu jo sepse keni ngritur zërin, po sepse unë dua t’i dëgjoj të gjithë zërat.
EDI RAMA: Dua t’ju them diçka. Ky është impenjim për të hedhur baltë nga burimet më të pista të Shqipërisë që t’i vësh përpara në shërbimin publik e pastaj, t’ia paraqesësh popullit italian, sepse ju jeni kundër qendrave të pritjes.
Rai3: Kryeministër, më vjen vërtet keq për këtë qëndrim.
EDI RAMA: Më fal, po ç’interes ka publiku italian për thashetheme.
Rai3: Kryeministër më vjen shumë keq për këtë qëndrim, sepse ka dy mënyra për ta parë këtë që ka ndodhur, këtë intervistë. Njëra mënyrë është me vizionin pak autokrat të pretendosh se pyetjet e një gazetari janë baltë
EDI RAMA: Jo, jo, jo, jo pyetjet…
Rai3: Ndjesë. Nga momenti që po ju them se prania e mafies është e fortë dhe madje edhe lidhjet me qeverinë tuaj. Ka shumë eksponentë të shumicës suaj, të qeverisë suaj, që janë arrestuar e madje edhe dënuar – ndjesë, më lejoni vetëm 30 sekonda – janë dënuar për raporte me mafien. Ka artikuj të shtypit ndërkombëtar, madje edhe qëndrime të mbajtura nga Senati dhe Kongresi amerikan, që i denoncojnë këto rreziqe. Unë do ta shihja si një mundësi që unë, si shërbimi publik italian po ju jap për t’iu shpjeguar shikuesve italianë cila është e vërteta nga këndvështrimi juaj, pra, për të sqaruar atë që për ju është keqkuptim. Përse thoni që po hedh baltë? Unë po ju vë përpara një mikrofon dhe një telekamerë. Po ju jap hapësirë në emisionin tim që të mund të shprehni qëndrimin tuaj.
EDI RAMA: Dëgjoni, unë nuk ju thashë që po hidhni baltë me pyetjet. Unë fola për programin. Nuk fola për pyetjet. Nuk ka pyetje të fajshme.
Rai3: Shkëlqyer.
EDI RAMA: Por ekziston liria edhe për të folur për pyetjet, mirë? Por unë nuk thashë që pyetjet janë baltë. Ju tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër.
Rai3: Thatë që kam hedhur baltë vetëm se përmenda gjëra që kam hasur, vetëm për këtë më thatë që kam hedhur baltë.
EDI RAMA: Jo, jo. Më lini të mbaroj. Tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër. Thatë “shumë eksponentë të qeverisë suaj”. Kush janë këta?
Rai3: Ka qenë një ministër i Brendshëm.
EDI RAMA: Ah, një.
Rai3: Ishte ministri pasardhës, Xhafa, që nuk kishte gabuar, po dha dorëheqjen menjëherë më pas. Është ministri aktual i Brendshëm. Ka një bisedë midis dy krerëve të mafies, të cilët thonë: “E dimë kush do jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm dhe përmendin emrin e Taulant Ballës. Më falni.
EDI RAMA: Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj sesi mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë… Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare, jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë.
Rai3: I vëllai ishte i dënuar në Itali.
EDI RAMA: Do më lini të mbaroj?
Rai3: Absolutisht, po.
EDI RAMA: Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra.
Rai3: Pse është gjysmë e vërtetë. Ka një dokument për dhurimin e tokës dhe kemi intervistuar protagonistin e drejtpërdrejtë, është Lisi, ish-kreu i Interpolit.
EDI RAMA: Më falni, unë i kam lexuar të gjitha dokumentet, falë jush, sepse ju nuk ia lexuat publikut italian, se aty i kishit të tre. Atëherë, këtu bëhet fjalë për një histori krejt ndryshe dhe ju flisni edhe njëherë për një narkotrafikant, flisni për një person…
Rai3: …për drejtësinë italiane, Artur Shehu është i dërguar në gjykatë.
EDI RAMA: Flet për një njeri që unë nuk e njoh.
Rai3: Artur Shehu.
EDI RAMA: Mund edhe ta njihja, nuk është… por nuk më rezulton të jetë një person i dënuar, nuk më rezulton. I dërguar për gjykim është një gjë, i dënuar është gjë tjetër.
Rai3: Kreu i Interpolit nuk mund të marrë tokë nga dikush që është nën hetim.
EDI RAMA: E para kjo. E dyta, flisni për diçka që është e pavërtetë, sepse nuk ka pasur asnjë ndërveprim, asnjë ndërveprim, në rolin e avokatit, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me këtë subjekt kur ishte avokat. Dhe këtë nuk e thatë në program.
Rai3: Është ajo që na tha Lisi.
EDI RAMA: Jo, jo
Rai3: Na konfirmoi ndërveprimin, nuk tha që ishte takuar me narkotrafikant sepse personi i ndërmjetëm ishte arrestuar… nuk e di si e kishte emrin.
EDI RAMA: Koka juaj është e mbushur plot me emra dhe nuk po dini më as ku t’i vini. Unë nuk dua t’ia di për emra.
Rai3: Po emri i ndërmjetëm është me interes, se është me interes për Artur Shehun, e njeh shumë mirë Engjëll Agaçin.
EDI RAMA: Nuk më interesojnë emrat, nuk i njoh. Unë flas për fakte.
Rai3: Mirë, pra.
EDI RAMA: Unë flas për faktet.
Rai3: Edhe unë.
EDI RAMA: Jo, ju nuk flisni për faktet, ju flisni vetëm për gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.
Rai3: Akoma nuk më keni thënë se cila është gënjeshtra, gjysmë e vërteta.
EDI RAMA: Ç’hyn tani një avokat, që është marrë nga një grup personash të besuar të një të vdekuri që kishte pasur prona në Shqipëri, me origjinë shqiptare, i cili kishte prona në Shqipëri.
Rai3: E thamë.
EDI RAMA: Ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm. Ç’hyn ai me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje. Ç’lidhje ka? Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxha Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme! Mirë? Sepse nuk përkon me të vërtetën dhe përbëhet nga gjysmë të vërteta. Më flisni për ministrin e tretë të Brendshëm që është sot dhe më thoni, “në një telefonatë midis dy…”. Ku di gjë unë për telefonata… Jo, më falni. Ku di gjë unë për telefonatat midis personave që mund të thonë, “O, e takova unë atë. Kam takuar Edi Ramën, më tha, i thashë…”. Po ku e di unë këtë? Po si mund t’i nxirrni kështu këto gjëra? Ajo telefonatë, për të cilën folët, duhet jetë e lidhur me fakte. Pastaj, nëse faktet e mbështesin, në rregull. Po si mund të merren në dosje telefonata, kjo, ajo, dhe të dalësh e t’i thuash publikut, “ka pasur një telefonatë”. Ka pasur një telefonatë? Po çfarë pastaj? Unë hap telefonin – dhe ka raste që nuk njoh as numrat – hap telefonin dhe flas. Fakti duhet ndjekur. Domethënë, çfarë ka ndodhur më pas? Unë, tani, po mësoj çfarë do të thotë demokraci.
Rai3: Po iu mëson të tjerëve…
EDI RAMA: Jo, jo. Po e mësoj unë.
Rai3: Ah, ju.
EDI RAMA: Duke ju parë juve, unë po mësoj çfarë do të thotë ta mbrosh demokracinë nga gjysmë të vërtetat. Sepse, në emër të demokracisë dhe të lirisë, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat ditët e sotme kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme. I kuptoj rrjetet sociale, i kuptoj, po ky është shërbimi publik italian. Po si bëhet kjo, si bëhen gjëra të tilla?!
Rai3: Kryeministër, ne radhisim fakte, dëshmi të besueshme, po jo vetëm ne në Itali. Gazetaria e lirë dhe e pavarur këtë bën. Unë ju kam paraqitur vetëm fakte, ju thashë, një burim i besueshëm. Ju çfarë thoni?
EDI RAMA: Ju nuk më keni rreshtuar deri tani, të paktën deri tani, asnjë fakt.
Rai3: Kështu e vlerësoni ju. Më vjen keq që e shihni kështu.
EDI RAMA: Ju më keni rreshtuar… Jo, jo, më thoni ju ku janë faktet. Ju më keni rreshtuar…
Rai3: Ju po më thoni se, në Shqipëri, mafia nuk ekziston dhe nuk ka asnjë ndikim politik. Ky është qëndrimi juaj?
EDI RAMA: Më lini të mbaroj.
Rai3: Ju lutem. Sigurisht. Për të kuptuar të sintetizuar.
EDI RAMA: Pra, është fakt që ju thoni që dy kriminelë flasin me njëri-tjetrin, nuk e vë në diskutim. Në rregull? Por, ta marrësh këtë fakt, ta sjellësh këtu. Domethënë, të udhëtoni nga Italia, të vini tek unë dhe të më thoni “shumë eksponentë…
Rai3: Iu përgjigja pyetjes suaj. Nuk ishte pyetja ime. Iu përgjigja pyetjes suaj.
EDI RAMA: Jo, jo. Ju thatë, “shumë eksponentë të qeverisë suaj janë vërtetuar se kanë pasur lidhje me mafien”. E thatë ju. Kush? Më thoni një emër, që ka kaluar në gjykim dhe gjithë pjesën tjetër – unë nuk komentoj – po që nuk është provuar e as nuk është dënuar për bashkëpunim mafioz, që të jemi të qartë… Jo, jo, ju mund të bëni gjykatësin mbi gjykatësit, është e drejta juaj.
Rai3: Jo, unë bëj gazetarin./ZËRI