
TIRANË- Kryeministri Edi Rama e sheh gjithnjë e më të mundshme mundësinë që Greqia të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë, si hakmarrje për arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit. Rama tha se do të ishte mëkat që Shqipëria, megjithë përparimin e viteve të fundit, të bllokohej për një çështje si ajo e Belerit, të cilën e konsideron një kauzë periferike në marrëdhëniet me Greqinë.
““Sa i përket kërcënimit siç e quani ju apo presionit, unë e kam thënë opinionin tim, nuk dua të komentoj sa herë që pyetem sepse nuk dëshiroj që të ushqej një debat nuk qeveria nuk është palë. Ne s’kemi asnjë lidhje me këtë histori. Këtu bëhet fjalë për një individ që është arrestuar në flagrancë për blerje votash është në një proces gjyqësor në Gjykatën Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar.
Është në pamundësi të bërjes së betimit sepse ligji ynë është shumë i qartë se në ç’kushte bëhet betimit. Qeveria nuk ka këtu asnjë rol për të luajtur. Mbase në të shkuarën qeveria mund ta luante atë rolin që ishte mësuar, sidomos kur ia kërkonin të huajt që t’i thoshte sistemit drejtësisë se ç’duhet bënte. Kjo është e prerë. Ne nuk ndërhyjmë për asnjë arsye, në asnjë formë në punën e institucioneve të drejtësisë, e lërë pastaj të institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK e GJKKO. Janë produkte të një përpjekje që e kemi nisur, udhëhequr, realizuar ne, reformën e drejtësisë në letër. Ndërsa në realitet duhet ta zbatojnë ata dhe ne duhet ta mbështetim duke mos u përzier në punën e tyre.
Po a mundet Greqia të na bllokojë, po edhe mundet? Po pastaj? Kur të ndodhi do të dëgjoni komentin tim. Do të ishte shumë joserioze që Shqipëria që njihet sot shumë më ndryshe nga sa ishte, të bllokohet për një çështje që nuk ka fare lidhje me integrimin europian, që është minore në raportet tona me Greqinë. Jetojmë në një bote ku secili ka të vetat”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama tha se ai është konsultuar me juristët për çështjen Beleri, dhe për këtë shkak qeveria nuk ka ndërmarrë hapa për shkarkimin e tij si kryebashkiak, edhe pse nuk ka bërë ende betimin, për shkak të pamundësisë fizike, pasi gjendet në qeli.
“Opinioni që unë kam marrë është ai që më ka vendosur në këtë pozicion ku jam, që nuk e kemi vënë në lëvizje qeverinë për të shkarkuar kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës pavarësisht se nuk është paraqitur në detyrë, në kushtet e pamundësisë”, deklaroi më tej Rama.
/Zëri.ai