
TIRANË- Pas marreveshjeve me karakter ekonomik që janë nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, kryeministri Edi Rama ka falenderuar presidentin Emannuele Macron për vizitën e tij në Tiranë, e para e një presidenti francez.
Rama e nisi fjalimin e tij me një fjali në fërngjisht, por tha se e folura në këtë gjuhë i ishte dëmtuar, për shkak të ndikimit të anglishtes në arenën ndërkombëtare.
“Jam besimplotë se me gjithë këtë shtysë që na kanë dhënë sot për të patur kontakte shumë më të ngushta mes dy vendeve, nesër fërngjishtja ime do të jetë më e bukur se sot”, u shpreh Rama në nisje të fjalimit të tij.
Edi Rama: Në protokollin diplomatik fjala i lumtur përdoret shpesh, e vërteta është se unë sa herë që gjendem në situate si kjo, me miq të shumëpritur, e evitoj fjalën i lumtur që sugjeron ministria e jashtme, dhe them i kë3aqur. Sot dua ta them me plot gojën që jam i lumtur, shumë i lumtur që jam në krah të presidentit të Francës, në Tiranë. Jam shumë i lumtur që pas një pritje të paktën shekullore në Shqipëri vjen për një vizitë bilaterale shefi i shtetit francez, është një vizitë më shumë se formale, por është miqësore, për të thelluar një marrëdhënie që ka njohur një rritje shumë të madhe në vitet e fundit. Meritë kjo e presidentit që ka kërkuar një marrëdhënie shumë më konkrete mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Marrëdhënie kjo që duhet të jetë në gjendje që në çdo hap t’u japë vendeve tona mundësinë e bashkimit me Europën, pa rënë në kurthin e traditës së procesit të integrimit, i cili sipas meje dhe Presidentit duhet të vijojë në meritën e çdo vendi, por nuk duhet lënë të bëhet një arsye ankthi në raport me të ardhmen e vendeve tona.
Jam shumë i lumtur që Presidenti e tha mbrëmë qartë se zgjerimi i BE-së nuk duhet të pengojë ribashkimin e Europës dhe për këtë unë jam shumë shpresëplotë që Presidenti do udhëheqë një proces të tillë.
80 mijë turistë francezë kanë qenë në Shqipëri përgjatë këtiju viti. Franca është e pranishme më shumë se kurrë në Shqipëri, edhe përmes investimeve të biznesit siç është Voltalia.
Më besoni që nuk ka qenë e lehtë që presidenti të ishte në Shqipëri, prania e tij këtu tregon se ambicia e Shqipërisë për të qenë Europa e Ballkanit është e pakthyeshme. Ne duam të jemi në Ballkan referenca europiane e këtij komuniteti, do të vazhdojmë që të mishërojmë europën.