Politikë

Rama ‘i jep’ llogari Bardhit për anijet me mbetje, në interpelancë edhe Balluku. Kuvendi vendos sot për mandatin e Xhaçkës

Seanca në Kuvend, Rama e Balluku në interpelancë me deputetët e PD. Në rend të ditës edhe mandati i Olta Xhaçkës

E.K
Rama ‘i jep’ llogari Bardhit për anijet me mbetje, në
EDI RAMA NE KUVEND

TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend pritet që të shoqërohet me debate të forta mes palëve, pasi në rendin e ditës parashikon dy interpelanca të thirrua nga deputetët e opozitës, me kryeministrin Edi Rama dhe me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku. Interpelanca me Ramën është kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, për anijet e nisura nga Porti i Durrësit, të dyshuara se po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.

Gjithashtu një interpelancë do të ketë edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike, për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar dhe aksin “Rruga e Kombit”, me akuzat që bllokojnë aksesin e qytetarëve që banojnë në zonat pranë. Përpara seancës së sotme, Balluku ka arritur një marrëveshje me banorët që protestojnë prej javësh.

Në rend të ditës do të jetë edhe mandati i Olta Xhaçkës, “për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit”.

Projektvendimi për mandatin me Xhaçkën është shoqëruar me dy raporte të ndryshme të shumicës dhe pakicës parlamentare në Këshillin e Legjislacionit.

Sipas dokumenteve të publikuar të mërkurën në faqen e Kuvendit, socialistët në pushtet i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese si ‘detyrues’, por nuk i sugjerojnë Kryetares së Kuvendit që t’u bëjë të ditur deputetëve detyrimin për të votuar pro.

“Është seanca plenare si organi vendimarrës i Kuvendit, që duhet të vendosë dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës dhe urdhërimeve të Gjykatës Kushtetuese në dispozitivin dhe arsyetimin e vendimit të saj nr.55, datë 10.07.2024,” thuhet në rekomandimin e anëtarëve socialiste të këtij këshilli.

Ndërsa opozita në raportin e saj thekson faktin që deputetët janë të detyruar të ekzekutojnë vendimin e gjykatës, duke votuar për dërgimin e këtij mocioni në këtë gjykatë.

Anëtarët e PD-së në Këshillin e Legjislacionit i rekomandojnë Kryetares së Kuvendit që “të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin PRO…”.

Ky votim do të jetë i treti për këtë çështje dhe i dyti që vjen si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

RENDI I DITËS

Në mbështetje të urdhrit nr. 59, datë 10.9.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.9.2024. (Neni 44, pika 2 e Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime (Neni 44, pika 3 e Rregullores së Kuvendit)

3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë zotin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi.
4. Interpelancë urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë zonjën Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

5. Akt normativ nr. 2 datë 1.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.

6. Akt normativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.

7. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””

8. Projektligj “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””.

9. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.

10. Projektligj “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

11. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”

12. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””.

13. Projektvendim “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB