
TIRANË-Kryeministri Edi Rama nuk kurseu as kritikat për disa nga deputetët e Partisë Socialiste gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste. Rama kërkoi ndjesë në emër të të gjithë deputetëve që nuk kanë përmbushur detyrimet dhe nuk kanë bërë munën e tyre. Pa përmendur emra, kreu i qeverisë kritikoi deputetët që thjesht e kanë shoqëruar, apo ata që kanë folur vetëm një herë nga Foltorja. Madje sipas tij shumë prej tyre kanë portale.
Edi Rama: Nuk rri dot rehat kur ata që ma kanë bërë këtë nder nuk janë dot rehat në atë orë. Nuk është çështje natyre, por çështje detyre. U kërkoj ndjesë të gjithëve në këtë sallë, të gjithë atyre që kanë dhënë mundin e tyre që një grusht njerëzish të jenë këtu sot si deputetë. Kërkoj ndjesë për ata deputetë që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë në punën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull për të më shoqëruar mua kur shokj në zonën e tyre. Apo kur shkojnë në organizata për të bërë foto prezence. Kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri kur trokasin në zyrat e shtetit vetëm për punët e tyre. Apo edhe për ata që kur kanë zbritur në sallë, duken në Foltore njëherë në hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga hëna, ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë vetëm me njëri-tjetrit për thashethemet e portaleve për qeverinë. Ndjesë edhe për ata që bëjnë komentatorin e kolegëve dhe të qajnë hallet e kolegëve me dashakeqës të kësaj shtëpie. Apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjitë e disa pocaqi kanale dhe portale, duke hedhur gurin dhe duke fshehur dorën. Fatmirësisht nuk janë të gjithë kështu. Nuk janë të gjithë dembelë!
PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:
Kjo vlen për çdo deputet, pa dallim, por mbi të gjitha kjo duhet të vlejë për këdo që merr vlerësimin dhe që ka nderin të jetë deputet i partisë më të madhe, më të besuar dhe më fitimtare të shqiptarëve, të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Të jesh deputet i kësaj partie është diçka që unë personalisht e konsideroj një privilegj të pakrahasueshëm me asnjë privilegj tjetër dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është për mua një borxh i jashtëzakonshëm i cili nuk lahet dot kurrë deri në fund.
Atyre që më pyesnin shpesh ku e gjen gjithë këtë energji dhe burim, zakonisht ua kthej me një buzëqeshje, por në fakt dua tu them që unë nuk kam sesi rri dot as një orë rehat përderisa ndër ata që mua ma kanë bërë këtë nder ka shumë që nuk janë dot rehat në atë orë. Dhe kjo nuk është çështje natyre, kjo është çështje detyre. Prandaj dhe dua tu kërkoj ndjesë sot të gjithë atyre në këtë sallë dhe jashtë saj që deputet nuk janë, por që kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre që një grusht njerëzish të kësaj përfaqësie të madhe të PS të jenë këtu sot si deputet. Dua tu kërkoj ndjesë për ata deputet që janë këtu të ulur mes nesh, që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë në detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve, më mirë, shumë më mirë sesa shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Dua tu kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua kur shkoj në zonën e tyre apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence kur zhvillohet një fushatë anëtarësimesh.
Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin në zyrat e shtetit për punët e tyre, të familjes tyre, të tarafit të tyre apo edhe për ata deputetë që qysh se kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë duken në foltoren e Kuvendit një herë në Hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga Hëna. Ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë vetëm me njëri tjetrin, natyrisht për vatanin, por kryesisht për të rejat e fundit nga portalet e thashethemeve për qeverinë.
Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves që të bëjnë komentatorin e kolegëve dhe të qajnë halle karriere më dashakeqë lloj-lloj ndaj kësaj shtëpie apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjitë e disa pocaqi kanaleve dhe portaleve duke hedhur gurin dhe duke fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon.
Ndjesë po ashtu kujtdo ndër deputetët të cilëve nuk u takojnë këto fjalë sepse fatmirësisht nuk janë të gjithë kështu, nuk janë të gjithë dembelë dhe moskokëçarës ndaj detyrave që ose e nderojnë deputetin bashkë me Partinë Socialiste në sytë e zgjedhësve ose e turpërojnë deputetin por edhe PS në sytë e gjithë njerëzve. Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët nuk do kishim arritur shumëçka në këtë mandat të tretë dhe i kemi dhe deputetët të cilët nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendimet, as kur duhet tu japin këmbëve për të takuar zgjedhësit./ZËRI