
TIRANË- Ka nisur takimi informal i thirrur nga kryeministri Edi Rama në periferi të Elbasanit, në një kompleks privat në pronësi të biznesmenit Gjergj Luca. Deputetët do të bëjnë një analizë të performancës dhe angazhimit të tyre në terren, ndërkohë që një vëmendje të veçantë do të marrë edhe qasja publike që ata do të kenë gjatë fushatës elektorale të pranverës së ardhshme. Takimi që ka nisur rreth orës 10:00, pritet që të jetë i ndarë në 3 pjesë, ku fjala hapëse do të mbahet nga Niko Peleshi, si kreu i grupit parlamentar i cili do të flasë për ‘Sfidat e Sesionit Parlamentar’. Më pas do të flasë kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, dhe pas saj fjalën do të marrë Taulant Balla, ministër i Shtetit me Parlamentin.
Në pjesën e parë deputetet do të njihen me punën e bërë deri më tani nga komisionet e posaçme të “Antikorrupsionit” dhe “Dezinformimit”, dy nga nismat më të fundit të mazhorancës. Dy kryetarët e komisioneve Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe jo vetëm do të analizojnë punën por do të njohin kolegët e tyre edhe me objektivat dhe ecurinë e komisioneve në vazhdimësi.
Pjesa e dytë do të fokusohet tek strategjia e re e komunikimit publik qe duhet të ndjekin deputetët me zgjedhësit, punën në parlament dhe mesazhet publike deri në zgjedhjet e parlamentare. “Trajnimi” i deputetëve për komunikimin do të mbahet nga zyra e shtypit të Partisë Socialiste për koordinimin e mesazheve dhe rritjen e komunikimit publik, edhe përmes rrjeteve sociale.
Një hapësirë e posaçme do t’i kushtohet edhe çështjeve të integrimit. Kryenegociatorja Majlinda Dhuka do të njohë deputetët me ecurinë e procesit të integrimit europian, proces i cili kërkon ndërveprim eficent edhe me parlamentin e qeverinë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian.
Ndërsa pjesa e tretë do t’i dedikohet mesazhit të kryeministrit Rama i cili pritet t’i bashkohet tryezës së punës rreth orës 14:00 të së sotme.
“Komunikimi” ishte në fokus edhe të retrat-it që kryeministri Rama mbajti me kabinetin në rezidencën qeveritare në Dajt. Strategjia e re e komunikimit i shërben punës që socialistët duhet të bëjnë për zgjedhjet e pranverës 2025-ës, në përmbushje të objektivit të tyre madhor, fitores së një mandati të katërt qeverisës./ZËRI