Politikë

Reforma Zgjedhore, Basha: Debati u degradua, po fiton Rama

Gjatë konferencës me gazetarët Lulzim Basha u shpreh se beteja nuk duhet bërë për emra të përveçëm, por për vizione dhe vlera.

k.m.
Reforma Zgjedhore, Basha: Debati u degradua, po fiton Rama
Lulzim Basha

TIRANË- Lulzim Basha i ka cilësuar si debate pa vlerë që favorizojnë Kryeministrin Edi Rama, përplasjet e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, mbledhja e së cilës ka dështuar dy herë për shkak se deputetët që mbështesin Gazment Bardhin dhe Sali Berishën kanë bllokuar punimet. Gjatë konferencës me gazetarët Lulzim Basha u shpreh se beteja nuk duhet bërë për emra të përveçëm, por për vizione dhe vlera.

Lulzim Basha: Debati edhe këtë javë ka qenë 'ik ti Enkelejd, të vijë Oerdi'. Ky ka qenë debati, kuptoni sa mjerueshëm. Fiton ai që fërkon duart, ai që ka 3 palë zgjedhje që shkel parimet elementare. Duan ta mbajnë debatin këtu. Kujt i bëhet vonë për emrat e përveçëm? Kujt i bëhet vonë nëse ulet apo jo, X apo Y, në atë karrige. Njerëzit duan që të kenë shpresë. Për këtë PD ka paraqitur vizionin dhe platëformën e saj. Nuk duhet që të humbasim kohë me qarravitje dhe pelivanllëqe për të fshehur interesa persona, në lojë janë interesa publike dhe kombëtare. Përpjekja për ta futur këtë lojë me porta të vogla duhet që të dështojë. Qytetarët presin nga opozita të jetë serioze dhe jo grindavece për arsye personale.

Prej kohësh palët në opozitë janë në përplasje mes tyre për postin e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku kërkojnë zëvendësimin e Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin. Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka bërë publike disa propozime për Reformën Zgjedhore, që janë listat e hapura, sistemi propocional kombëtar, si dhe votën e diasporës. Ndërkohë që Rithemelimi kërkon që Reforma Zgjedhore të nisë nga zhbërja e ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2020./ZËRI 

Poll

MOS HUMB