
TIRANË- Sot në Kuvend do të votohet projekt-rezoluta anti-korrupsion. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha se reforma në drejtësi është akti më historik i një partie politike në Shqipëri. Ai tha se drejtësia vepron mbi pushtetin dhe është e pavarur nga pushteti politik. Sipas Çuçit projekt-rezoluta i hap rrugë krijimit të një komisionit të posaçëm parlamentar me të gjitha palët për të adresuar dhe analizuar hapat që duhen ndërmarrë për thellimin e reformimit të shtetit shqiptar.
Fjala e plotë:
Për ta adresuar të vërtetat në këtë rast ato që nuk na pëlqejnë që lidhen me korrupsionin dhe praninë ende shqetësuese të korrupsionit dhe domosdoshmërinë e forcimit të sundimit të ligjit, ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një vale të re reformimi institucional me përfshirjen e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese të kësaj republike. Kjo është domosdoshmëri nga procesi i diagnozës që KE ka bërë për Shqipërinë dhe si për detyrat e procesit në përgjithësi të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në BE nuk do të integrohet qeveria e Shqipërisë. Në BE do të integrohet shteti i tërë shqiptar me legjislacionin dhe institucionet e veta. Përveç qeverisë në tryezën e anëtarësimit të negocimit do të jenë 27 institucione të pavarura që kanë detyrime konkrete dhe kanë në thelb rekomandime për thellimin e luftës ndaj korrupsionit. Shpresoj që me miratimin e rezolutës dhe me dëshirën për ta miratuar të gjithë së bashku, qoftë me ndonjë sugjerim apo rekomandim që do keni sot i hapim rrugën së një ngritje të një komisioni të posaçëm parlamentar si një platformë e përbashkët me aleatët tanë strategjikë BE-në dhe SHBA-në, me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo më tashmë dallimet që do të vazhdojnë në luftën tonë politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtetbërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re si dhe identifikuar hapat dhe masat që duhen ndërmarrë për thellimin e reformimit të shtetit shqiptar.
Projekt-rezoluta synon të rrisë sundimin e ligjit, luftojë korrupsionin dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Miratimi i kësaj rezolute në parlament kërkon një shumicë të thjeshtë votash. Opozita nuk pritet të japë votat, pasi edhe në Konferencën e Kryetarëve abstenoi. /ZËRI