Politikë

Sali Berisha pa aleatët në ‘betejën’ me drejtësinë!

Miqtë e mirë duken në ditë të vështira, thotë populli, por me rastin e Sali Berishës çfarë po ndodh? A është braktisur ai nga aleatët e tij në betejën me drejtësinë? Kësaj pyetje mund t’i japin përgjigje vetëm ‘aktorët” e përfshirë, por që kanë zgjedhur të heshtin.

Edon Kuqi
Sali Berisha pa aleatët në ‘betejën’ me
Sali Berisha dhe aleatët

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha prej 30 dhjetorit të vitit që lamë pas është lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, me vendim të Gjykatës së Posaçme, pas kërkesës së SPAK, që kërkoi “izolimin” e Sali Berishës dhe pse nuk ja doli ta izolojë plotësisht. Kjo pasi Berisha, prej 3 janarit kë këtij viti, çdo natë mban miting në dritare dhe përshëndet demokratët që mblidhen poshtë shtëpisë në rrugën “Mustafa Matohiti”. Por në betejën e tij me drejtësinë, Sali Berisha nuk është “braktisur”, vetëm nga disa deputetë të PD që janë rreshtuar krah Gazment Bardhit, por dhe nga aleatët, disa prej tyre të vjetër në aleanca.

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, kanë treguar një distancim nga Sali Berisha, sa i përket betejes së tij me SPAK, teksa nuk kanë preferuar të komentojnë, por as ti bashkohen deputetëve të Partisë Demokratike që protestojnë çdo natë poshtë dritares së Berishës, madje as në aksionin e mosbindjes civile në Parlament. ZËRI i ka kontaktuar, si Mediun ashtu dhe Shehin për të marrë një prononcim në lidhje me mungesën e tyre, në tubimet e demokratëve dhe nëse kemi të bëjmë me një distancim nga kjo çështje, përderisa është në dorën e SPAK, por deri në publikim e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje nga ata.

Ndërkohë, një tjetër aleat i ri, po aq sa dhe i vjetër i Sali Berishës, Ilir Meta, ka preferuar që betejën e Sali Berishës me drejtësinë, ta ndjekë nga larg, pa dashur të përfshihet direkt, por vetëm me deklarata sporadike. Ky i fundit që prej arrestimit të Berishës, por dhe më herët kishte munguar në selinë e demokratëve, ndërsa po mungon dhe në protesta, siç ishin të fundit, para Parlamentit dhe Kuvendit të Shqipërisë. Dhe zoti Meta është kontaktuar nga ZËRI, por deri në publikimin e këtij lajmi, nuk kemi marrë asnjë prononcim.

Nga ana tjetër, i kontaktuar në ZËRI, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka u shpreh se ndodhet në Itali, duke preferuar të mos detaje dhe deklarata në lidhje me problemin që kryedemokrati Sali Berisha ka me drejtësinë.

Miqtë e mirë duken në ditë të vështira, thotë populli, por me rastin e Sali Berishës çfarë po ndodh? A është braktisur ai nga aleatët e tij në betejën me drejtësinë? Kësaj pyetje mund t’i japin përgjigje vetëm ‘aktorët” e përfshirë, por që kanë zgjedhur të heshtin.

Pse është arrestuar Sali Berisha?

Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”./ZËRI

Poll

MOS HUMB