Politikë

Salianji në burg, çfarë vendimi mori gjykata për të pandehurit e tjerë në dosjen 'Babale'

Gjatë vendimit të sotëm, Apeli ka vendosur që gazetari Olldashi të dënohet me 100 orë punë në komunitet.

F.I
Salianji në burg, çfarë vendimi mori gjykata për të
Ervin Salianji

TIRANË-Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi sot dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji. Ky vendim tani është i formës së prerë dhe do të ekzekutohet sapo prokurori i Apelit të japë urdhërin, në të cilin moment forcat e rendit do të shoqërojnë deputetin në qeli. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë dhe të 4 të pandehurit Fredi Alizoti (për të cilin Apeli la gjithashtu në fuqi vendimin e Shkallës së Parë), Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. 

Gjykata e Apelit ka dënuar sot dhe gazetarin Jetmir Olldashi për dosjen ‘Babale’. Gjatë vendimit të sotëm, Apeli ka vendosur që gazetari Olldashi të dënohet me 100 orë punë në komunitet. Në seancën e sotme avokati i Jetmir Olldashit, Indrit Sefa tha se vendimi i shkallës së parë për këtë çështje është i paligjshëm dhe se nuk duhet që të merret parasysh.

“Paraqitja e vendimit të pushimit nga krimet e rënda, vetëm tani në lidhje me këtë çështje, tregon se vendimi i shkallës së parë është i paligjshëm, dhe nuk duhet që të merret parasysh. Nuk mund të administrohet ky vendim si prove e dorëzuar nga avokati i viktimës së veprës penale, Geron Xhafa”, tha avokati Sefa.

Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB