
TIRANË-Vendimi i Gjykatës së Apelit për deputetin demokratik Ervin Salianji ka nxitur reagime të shumta. Togat e zeza lanë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shallës së Parë, e cila dënoi me një vit burg Salianjin pasi akuzohet për “kallëzimit të rremë”, lidhur me dosjen “Babale”. Deputetët demokratë përveçse të pranishëm në seancë krah tij, e kanë mbështetur Salianjin edhe pas vendimit të Gjykatës. Kolegët e Salianjit kanë theksuar se dënimi i demokratit vjen në një kohë kur pushteti ka marrë marrë revansh për zhbërjen dhe asgjesimin e opozitës.
Flamur Noka: Sot vendimin për kolegun Ervin Salianji e dha vetë Edi Rama dhe aspak ligji. Drejtësia sot veproi për llogari të narkosektit në qeveri. Kundërshtari politik u trajtua si armik njësoj si në kohën e etërve të Rilindjes. Kjo qasje ndaj opozitës vijon të jetë moto për Ramën dhe narkoregjimin e tij. U dënua denoncuesi i krimit dhe i trafikut qeveritar, gjë që s'ndodh askund në shtetet e së drejtës. Kjo nuk është thjesht e vetëm goditje e drejtpërdrejtë për #PD, opozitën dhe opozitarizmin si e drejtë e shprehjes, por një goditje fatale për ligjin dhe shtetin ligjor.
Saimir Korreshi: Kjo nuk ka qenë as gjykata kompetente për të marrë vendimin mbi Salianjin. Duhet parë ky problem procedural. Ne do të shohim vijimin e procesit. Vendimi mund të ishte konvertuar në shërbim prove, komunitete.
Agron Gjekmarkaj: Dënimi i Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Drejtuesit politik të Qarkut të Elbasanit, politikanit të spikatur, deputetit Ervin Salianji është akti i fundit politik i gatuar në kuzhinën e rilindjes dhe formalizuar nga gjykata sot. Dënimi, vjen në një kohë kur pushteti ka marrë revansh ndaj fjalës së lirë dhe frikës së humbjes së pushtetit. Kjo është një ditë e zezë për drejtësinë dhe për demokracinë!
Belind Këlliçi: Që të ashtuquajturat “Organe të Reja të Drejtësisë” janë një vegël në duart e regjimit, këtë nuk ka shqiptar që nuk e di tashmë! Mjafton vjedhja me inceneratorët, 5D, portin e Durrësit dhe konçensionet në shëndetësi, për ta vërtetuar lehtësisht këtë fakt! Të dënosh me burg një deputet të opozitës përse denoncon vëllain trafikant droge të Ministrit të Brendshëm, kjo vetëm në Shqipëri ndodh!!! Ndërkohë që Ervin Salianji sot u dënua me burg nga gjykatat politike të Ramës, Armando Lilo i Fatmirit dhe Erionit, ai i 7 kateve pa leje, vijon grabitjen e miliona eurove me pronat e falura dhe falsifikuara nga vetë dyshja Xhafa - Veliaj! Një deputet i opozitës sot dënohet përse denoncon vjedhjen e trafikun, ndërsa hajduti i kapur në flagrancë me Grupin e Strukturuar Kriminal 5D, pronari faktik i Inceneratorit Tiranë, na shitet si model suksesi e vijon të vjedhë Tiranën ditën për diell! Ky standard është i padëgjuar në asnjë vend të botës!
Edi Paloka: Është një konfirmim i asaj që unë dhe të tjerë e kemi konfirmuar që nuk jemi duke shkuar në diktaturë, por jemi në diktature. Unë kam pasur dyshime se vendimi është marrë prej kohësh. Më shumë sesa vendimi, sot është dhënë një mesazh. Mesazhi i Ramës është, se unë ju kam në dorë, pavarësisht se Xhafa ka lëvizur gurët; ‘Ju kam në dorë, kontrolloj drejtësinë, mos hapni gojën se do përfundoni në qelitë e burgut’. Ky është mesazh për të gjithë ne.
Dhurata Çupi: Sot është një ditë e keqe. Dënimi i deputetit Ervin Salianji, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së, nuk është një vendim i dhënë nga drejtësia, por nga qeveria që kontrollon segmente të rëndësishme në çdo institucion të drejtësisë! Hakmarrja politike për luftën e Ervin Salianjit kundër krimit të organizuar të lidhur me qeverinë është një këmbanë tjetër alarmi pas arrestimit politik të liderit të opozitës, Sali Berisha! Sot është dita që këtë dënim ta konsiderojmë si heqje e lirisë për secilin prej nesh! Na duhet të reagojmë, sepse nesër do të jetë vonë!
Bledjon Nallbati: Vendimi i sotëm ndaj Deputetit Ervin Salianji nuk është gjë tjetër vecse rikthimi ne fuqi i dënimit për Agjitacion dhe Propagandë. Ky është një mesazh i qartë për cdo Shqipëtar. Kush shan Qeverinë shkon në Burg. Kush guxon të denoncoje vjedhjen, abuzimin, korupsionin, krimin qeveritar, përfshirjen e anëtarëve të qeverisë apo familjarëve të tyre në krimin e organizuar shkon ne Burg. Me këtë vendim cdo Shqiptari përfshirë këtu: Politikanë, Intelektualë, Gazetarë, Shoqëri Civile, apo Qytetarë ju është thënë se po folët kundër Partisë Shtet e pret Burgu.
Oerd Bylykbashi: Dënimi i sotëm i deputetit të opozitës Ervin Salianji është prova që Reforma në Drejtësi ishte instrumenti i Edi Ramës për të kapur Drejtësinë e për ta përdorur kundër Opozitës, pluralizmit, medias, biznesit e kujtdo që e denoncon sistemin e tij kriminal. Ervin Salianji denoncoi dhe për këtë po paguan. Të dënosh një deputet me dy dëshmitarë e prova të sajuara për një kallëzim që nuk e ka bërë kurrë, është treguesi më i qartë se kushdo, edhe një qytetar i thjeshtë, nuk ka më asnjë garanci në këtë vend. Vendimi i sotëm është shkop ballit për këdo që nanuritet ende në ëndrrën se reforma në drejtësi do të sjellë begatinë. Drejtësia është kthyer në armë kundër Opozitës dhe kundërshtarëve të Edi Ramës. Çdo reagim i munguar sot është një hap më shumë i kësaj të keqeje drejt pragut të çdo shqiptari.
Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI