Politikë

“Së shpejti”, Rama njofton samit për Ukrainën në Tiranë: Do të jetë pjesë edhe Zelensky

Para 3 ditësh, Presidenti Zelensky e telefonoi Ramën duke e falenderuar këtë të fundit për qëndrimin që Shqipëria ka mbajtur për agresionin rus ndaj Ukrainës

E.K
“Së shpejti”, Rama njofton samit për Ukrainën në
Rama dhe Zelensky

TIRANË- Kryeministri Edi Rama njoftoi sot nga Shkupi se në vendin tonë do të mbahet një samit për Ukrainën, ku do të jetë i pranishëm dhe vetë Presidenti Volodymyr Zelensky. Teksa ishte i pranishëm në takimin e liderve të Ballkanit që u mbajt në Maqedoninë e Veriut, Rama tha se samite do të jetë mjaft i rëndësishëm, ku do të diskutohet në lidhje me sfidat e sigurisë.

“Çështjet e sigurisë nuk kanë qenë temë e takimit të sotëm, janë prekur në mënyrë parimore ose mbase të detajuar në takimet bilaterale. Do përgatisitm një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do kemi të pranishënm Presidentin Zelensky dhe paralelisht me të do përpiqemi që në atë hark kohor të kemi dhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do ndjekin këtë proces për të bërë një bilanc të këtij muaji, deri në fund të shkurtit, dhe për të punojmë me ritëm të përshpejtuar. Duhet të kapim datat dhe mundësisht të mbyllim këtë paketë dukë bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me Presidentin lidhur me sfidat e sigurisë”, u shpreh Rama.

Para 3 ditësh, Presidenti Zelensky e telefonoi Ramën duke e falenderuar këtë të fundit për qëndrimin që Shqipëria ka mbajtur për agresionin rus ndaj Ukrainës. Ramës i është akorduar edhe Urdhri e “Princit Jaroslav i Urti, Shkalla e Parë” për kontributin e rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e këtij shteti në botë.

Sa i takon integrimit të Kosovës në NATO, ai u shpreh se procesi nuk ka një datë fikse dhe se është një përpjekje e përditshme. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA i cilësoi si më të mirat dhe produktivet ndonjëherë, duke theksuar se komunikoi me Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.

“Kemi folur për Shqipërinë dhe rajonin. Besoj që marrëdhëniet tona me SHBA-në nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive e të afërta dhe besoj edhe roli ynë në rajon nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë se në këtë moment ku u dha një shembull se të gjithë duhet të jemi në tryezë dhe të punojmë bashkë. Kur flitet për një gjë kaq pozitive, kaq të nevojshme për të gjithë popujt tanë, atëherë tryeza është vend ku trajtohen çështje ekonomike, që lidhen me mirëqenien dhe përshpejtimin e të gjithë fazave që na afrojnë përfundimisht në BE”, përfundoi Rama.

Poll

MOS HUMB