
TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka folur për mediat, pas seancës që u mbajt në Gjykatën e Posaçme për çështjen Gërdeci. Mediu foli në lidhje me dëshminë e Ylli Pinarit, për të cilin tha se është një nga dëshmitarët më të rëndësishëm për çështjen Gërdeci.
“Dua që të gjithë ta keni të qartë se Gërdeci është përcaktuar nga kompania dhe jo nga ministri i mbrojtjes. Kërkova dhe duhet ta vlerësoj zotin Pinari, pasi ka qenë një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të ngjarjes në Gërdec. Të paktën në raport me këtë çështje kemi detyrimin që të themi të vërtetën. Ministri nuk ka pasur asnjë kontakt as me kompaninë shqiptare dhe as me kompaninë amerikane”, u shpreh Mediu në fund të seancës.
Mediu tha se para shpërthimit në Gërdec ka pasur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku paralajmërohej se në vendin tonë mund të kishte ndonjë incident përpara hyrjes së Shqipërisë në NATO.
“Ka pasur një mbledhje të Këshillit Kombëtar, të cilët nuk kanë përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes për të krijuar një situatë para se të ndodhte anëtarësimi në NATO. Na u dha paralajmërim se duhet të kishim kujdes për ndonjë ngjarje para se të anëtarësoheshim në NATO. Këto dokumente duhet të ishin deklasifikuar. Di që është kërkuar që të bëhet një eksperiment me atë shkak që ndodhi shpërthimi. Djali i Deliut ka thënë se babai i tij ka qenë në shtëpi dhe se nuk kishte bërë asnjë saldim. Është në interes të Shqipërisë që të bëjë një hetim.”.
Çfarë nuk është deklasifikuar?
“Raporti i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, raportet apo dokumentet që kanë vajtur për këtë çështje. Duhet të jepen deponimet e tyre. I kam kërkuar presidentit që të na japë me shkrim këtë dokument që ta depozitoj. Këtë informacion duhet ta kishte marrë prokuroria me kohë”.
/ZËRI