Politikë

Shfarosja e blegtorisë në vendin tonë, Denaj: Po mendojmë uljen e taksave për mishin që importohet nga Brazili

Anila Denaj, prezantoi në komision ligjin për Veterinarinë, me qëllim forcimin e monitorimit dhe inspektimeve në këtë sektor për të garantuar siguri ushqimore sipas standardeve të BE-së

E.K
Shfarosja e blegtorisë në vendin tonë, Denaj: Po mendojmë
anila denaj

TIRANË- Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, ku nuk kanë munguar përplasjet me deputetët e opozitës. Denaj prezantoi para Komisionit ligjin e ri për Veterinarinë, që sipas saj është në përmbushje të plotë me rregullat e BE-së për sigurinë ushqimore. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin për shfarosjen e blegtorisë në vend, mbështetur në shifrat zyrtare të numrit të krerëve, injektimin e hormoneve në produktet bujqësore dhe ngërçet në skemat e subvencionimin të fermerëve.

Deputeti Dashnor Sula u shpreh se ndihma që marrin fermerët shqiptarë për bagëtitë e tyre është shumë më e ulët se vendet e rajonit dhe Europës, duke kërkuar që të rishikohet skema e rimbursimit për krerët.

Nga ana tjetër, deputetja Dhurata Çupi ngriti shqetësimin për cilësinë e mishit që konsumohet në Shqipëri dhe që përdoret nëpër Fast-Food dhe restorante.

Deputeti i qarkut të Lushnjes, ngriti shqetësimin për krizn e grurit, ndërsa shtoi se femerët nuk i kanë marrë ende kompensimin e naftës.

“E dini që ka dy vite grurin nuk e mbledhin më, nuk e hanë as lopët. Ka një rënie me 90% të fushave të grurit. I morët numrin e llogarive, por nuk i kaluat naftën, kur do kalojë këto leket për të marrë naftën? Si ka mundësi që nuk po subvencionohet më gruri? Ishte politike e kësaj qeverie”, u shpreh Korreshi.

Në fjalën e saj për t’ju përgjigjur deputetëve, Denaj tha se skema e financimit të blegtorëve nuk do të ndryshojë pasi imponon bashkimin e operatorëve dhe rritjen e blegtorisë në vend. Po ashtu ajo foli për mundësinë e uljes të taksave për rreth 15 kompani shqiptare që importojnë mishin nga Brazili.

“Janë 15 kompani shqiptare që tregtojnë mish importi nga subjekte të licencuara nga BE në Brazil. Kjo është garanci e produkteve cilësore. Ata kanë kërkuar uljen e taksës që të bëhen më konkurrente dhe ne po e diskutojmë. Ka kontrolle dhe certifikata sipas standardeve. Në pikat kufitare, kemi një projekt me Bankën Botërore ku do të hapen 7 pika laboratorike për të kontrolluar produktet e importit”, u shpreh ministrja Denaj, duke shtuar se disa pyetjeve do t’u përgjigjet me shkrim.

Ndërkohë që lidhur me akuzat për përdorimin e vajit të palmës nga baxhot në vend, Denaj tha se kjo është e pavërtetë, dhe analizat për produktet kryhen në Çeki.

“Siguria ushqimore është e plotë, bëhen analiza dhe mbahet përgjegjësi e plotë. Në 270 baxhot janë bërë analiza në Çeki dhe janë me standard të lartë!”, tha Denaj në Komisionin e Ligjeve.

Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka folur edhe për shqetësimin e opozitës sa i përketë përdorimit masiv të vajit të palmës dhe qumështit pluhur që prodhohen nga baxhot në vend. Ajo u shpreh se analizat janë bërë në Çeki dhe sipas saj djathi është i një standardi shumë të lartë.

“Me mijëra tonelata qumësht vijnë nga Serbia. Bëni një raport, shikoni qumështin pluhur, dhe më e frikshmja a e dini kush është? Vaji i palmës sepse po shpërndahet me faturë 1500 euro vetëm që të mos deklarohet”, tha Korreshi.

“Analizat i kemi çuar në Çeki, mund t’ju garantoj që për 270 baxhot prodhimi i djathit është i një standardi shumë të lartë. Dhe nuk mund të abuzohet me prodhimin e fermerëve shqiptar dhe të krijohet panik”, tha Denaj.

Poll

MOS HUMB