Politikë

Si po shuhet rebelizimi i opozitës në Kuvend, Bardhi në negociata të fshehta me Çuçin?

Ai që nisi si një aksion për të drejtat e opozitës, duket se do të përfundojë në marrjen e një lëmoshe nga mazhoranca. Për PS-në Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk preket

E.K
Si po shuhet rebelizimi i opozitës në Kuvend, Bardhi në negociata
Gazment Bardhi dhe Bledi Cuci

TIRANË- Pas afro 5 muajsh nga nisja e aksionit për bllokimin e Kuvendit, opozita duket se është futur në një ngërç, për shkak se seancat e fundit nuk kanë prodhuar asgjë, përveç ashpërsimit të masave për disa prej deputetëve. Tonet në Kuvend janë zbutur dukshëm, nga zjarri, te bilbilat, dhe mbrëmjen e djeshme Gazment Bardhi pranoi se po bëhen negociata me mazhorancën, për rikthimin e situatës në normalitet. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse po bën negociata të fshehta me kreun e grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, Bardhi nuk e mohoi diçka të tillë, por tha se nuk ka asnjë kulisë.

Sipas Bardhit ai ka kërkuar që nga dita e parë zbatimin e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, por që nga nisja e aksionit opozita vetëm ka humbur terren edhe ligjërisht. Kjo për shkak se mazhoranca ka miratuar e vetme ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare, një kërkesë e kahershme e opozitës, si dhe ka ashpërsuar dënimet për deputetët që kryejnë akte të dhunshme në sallë.

“Nuk ka asgjë sekrete në qëndrimin e PD që nga dita e parë që vullneti ynë ka qenë për një parlament që funksionon. Kemi qenë për dialog me mazhorancën, por me një kusht që është respektimi i Kushtetutës. A po negocioj me organet brenda parlamentit për funksionimin normal të tyre? E kam bërë nga dita e parë dhe do të vazhdoj ta bëj.

Nuk ka kulisa. Nuk ka kulisa mbrapa. Beteja që po bëjmë ne është betejë për të drejtat e opozitës. Është betejë për komisionet hetimore dhe jo që të marrim ne ndonjë gjë. Janë të drejta kushtetuese të opozitës që opozita po lufton për t’i fituar. Është në vullnetin e mazhornacës që të respektojë të drejtat e opozitës”, u shpreh Bardhi.

Gjatë ditës së djeshme, disa media, raportuan se mazhoranca ishte në bisedime të fshehta me opozitën, për të normalizuar situatën në Kuvend. Sipas tyre mazhoranca ishte e gatshme që të pranonte disa nga komisionet hetimore të opozitës, por jo ndryshimin e komisionit të reformës zgjedhore.

Komisioni për Reformën Zgjedhore ka qenë dhe molla e sherrit mes PD-së së Berishës dhe PS-së. Kjo për shkak se PD kërkoi ndryshimin e bashkëkryetarit të këtij komisioni, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin. Kjo kërkesë nuk u pranua nga mazhoranca, dhe tashmë Komisioni i Posaçëm për Zgjedhoren është duke i mbajtur mbledhjet online, pa pjesëmarrjen e një pjese të mirë të opozitës.

Radikalizimi i aksionit të opozitës në Kuvend përkoi dhe me hetimet e SPAK për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij. Tashmë rreth 5 muaj më pas, opozita nuk ka arritur asnjë prje pikave që vuri si kusht ndaj mazhorancës, e megjithatë Bardhi ka pranuar në një mënyrë apo një tjetër, se janë në negociata. Por a do ja vlejë barra qeranë, për atë që do të marrin në këmbim të rikthimit të Kuvendit në normalitet?/ZËRI

Poll

MOS HUMB