
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar deklaratën e djeshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Partinë Demokratike. Në konferencën e tij të përjavshme për shtyp, Sali Berisha tha se e përshëndeste deklaratën e ambasadës së SHBA, në të cilën shkruhej se nuk ndërhynin në punët e brendshme të partive. Por nuk e komentoi pjesën tjetër të deklaratës, ku përmendej shpallja e tij "non grata".
"Gjysma e mesazhit thotë se SHBA nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të partive, është në të drejtën e tyre të zgjedhin. Është pikërisht kjo që unë përshëndes. Nëse ka një njeri që ka bërë në 32 vite përpjekje që të zgjedhin me votën e tyre njerëzit, ky është Sali Berisha. Do të kthej një gjë shumë private dhe jo të zakonshme. Idhulli, çdo njeri ka idhujt e vet, idhulli i jetës time ka qenë Martin Luteri. Unë jam mysliman, sunit, krenar me besimin tim. Por duhet të jem i sinqertë me ju. Kur unë kam gjetur tezat dhe shkrimet, ai më ka impresionuar në shkallën më të jashtëzakonshme. Dhe më ka ndikuar. Duhet ta lexoni atë. Këtë person. Për mua, unë nuk jam i krishterë, por ai në fund të fundit ishte shenjtori i antikorrupsionit dhe i ka shërbyer njerëzimit me ato teza ndoshta sa pak kush tjetër. Por ka një problem tjetër ai, kur vjen puna në raport me ndërgjegjen e tij. Qëndron aq besnik te ndërgjegjja e tij, saqë frymëzon çdo njeri që lufton për të vërtetën. Unë e thashë se idhull kam Martin Luterin. Kjo është përgjigja për mesazhin,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
Dje, Ambasada Amerikane reagoi lidhur me diskutimet për Avokatin e Popullit, por u distancuan në debatin për udhëheqjen e Partisë Demokratike, duke përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tyre për "non grata-t", konkretisht kryedemokratin Sali Berisha.
REAGIMI I AMBASADËS:
Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla./Zëri.ai