Politikë

Socialistët penguan dërgimin e “Xhaçkës” në Kushtetuese, Bardhi: U ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, tha se socialistët do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës

E.K
Socialistët penguan dërgimin e “Xhaçkës”
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas votimit të djeshëm në Kuvend, ku socialistët penguan dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, të mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka. Bardhi thotë se me një vendim politik të Edi Ramës, dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi, duke vendosur sipas tij një precedent që nuk kishte ndodhur në 34 vite. Bardhi shkruan se në këtë mënyrë është ‘varrosur’ dhe propaganda e qeverisë Rama, për komisionin e posaçëm Antikorrupsion, që pretendon të forcojë shtetin ligjor.

REAGIMI I BARDHIT:

1. Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.

2. Dje u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për Shtetin Ligjor. Të gjithë ata që dyshuan se ER tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë ER refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJK.

3. Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!

4. GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për ti dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.

Me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi mbrëmë pas mesnate, që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit. Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca./ZËRI

Poll

MOS HUMB