
TIRANË- Në rendin e ditës në seancën e sotme në Kuvend është konstituimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për antikorrupsionin. Gjatë ditës së djeshme në bllok, grupi parlamentar demokrat i drejtuar nga Gazment Bardhi deklaroi votën kundër.
“Kemi marrë një vendim që nuk e mbështesim me vite ngritjen e këtij komisioni. Kur ne nuk mbështesim ngritjen e këtij Komisioni dhe nuk japim konsensus sepse s’jemi pyetur si mund të marrim pjesë në një komision siç do Edi Rama”-u shpreh Gazment Bardhi.
Demokratet ishin të bashkuar në qëndrim, por mes tyre pati edhe zëra ndryshe sa i takon bojkotit, siç ishte dhe rasti i deputetes Dhurata Çupi.
Salianji: Qartësisht për mua nuk duhet të këtë asnjë pjesëmarrje në një Komision që u bë në mënyre të njëanshme, u propozua si platformë elektorale nga Edi Rama.
Xhaferri: Për çfarë duhet të marrim pjesë në këtë komision? Që në dite të hënën të miratojmë rezolutën dhe të martën të dalim protestë para Bashkisë, ku është logjika këtu?
Çupi: Sipas meje asnjë vend që i takon opozitës nuk duhet të lihet bosh, por unë do pranoj çdo vendim të grupit.
Zhvillimet në kampin blu vendosen në pikëpyetje miratimin e ngritjes së Komisionit në seancën e së enjtes. Burime bëjnë me dije se grupi parlamentar i Partisë Socialiste po shqyrton opsionin e tërheqjes se projektvendimit nga rendi i ditës ndërkohë para seancës plenare është parashikuar edhe një mbledhje e konferencës së kryetarëve që po shihet edhe si një mundësi për të gjetur një dakortësi me opozitarët.
Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ndërsa deri tani përflitet se në krye do të qëndrojë socialisti Fatmir Xhafaj. Në projektvendim thuhet se Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, parashikohet që komisioni të ketë 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita.
Drejtimin e këtij komisioni do ta ketë shumica parlamentare, ndërsa nënkryetari i takon pakicës. Komisioni i Posaçëm do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave te mirëqeverisjes ne te gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e metejshem te zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “Screening” të Komisionit Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”. Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj../ZËRI