Politikë

SPAK do hetojë '21 Janarin', Rama: Gjykata e Lartë ktheu në jetë shpresën, rihapi rrugën e mbyllur

Kryeministri Edi Rama shkruan se vendimi i sotëm ka rikthyer shpresën për rivendosjen e drejtësisë. 

k.m.
SPAK do hetojë '21 Janarin', Rama: Gjykata e Lartë ktheu
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Lartë që urdhëroi Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për hetimin e dosjes së 21 janarit, ku edhe mbetën të vrarë 4 protestues. Në rrjetin social ‘X’, Rama shkruan se vendimi i sotëm ka rikthyer shpresën për rivendosjen e drejtësisë. Sipas tij, tashmë drejtësia e re ka një mundësi konkrete për të bërë histori, duke zbuluar dhe autorët e vërtetë të vrasjes së 4 protestuesëve të Partisë Socialiste. Më tej, ai thekson se ishte PS ajo që dha një kontribut unik për Reformën në Drejtësi.

"Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët,"-shkruan Rama ndër të tjera në postimin e gjatë të bërë në rrjetet e tij sociale. 

REAGIMI I PLOTË I RAMËS:

Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë. Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë. Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët

Sot, Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e vendimit të Apelit duke ia kaluar SPAK-ut shqyrtimin e çështjes se 21 Janarit. Kështu pas vendimit të sotëm pritet që SPAK të regjistrojë çështjen dhe të caktojë edhe prokurorin që do të hetojë ngjarjen ku humbën jetën 4 protestues të Partisë Socialiste./ZËRI

Poll

MOS HUMB