
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi vijon betejën e saj me drejtësinë, për t’i kthyer disa sende personale që i janë marrë nga SPAK në banesë, përfshirë një aparat celular. Pasi u rrëzua në të dyja shkallët e Gjykatës së Posaçme, Kryemadhi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë në datën 1 Mars, ku kërkon heqjen e sekuestros ndaj sendeve të saj personale.
Kërkesa e Kryemadhit për t’ja kthyer celularin, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, që e konsideroi përpjekjen gjyqësore të deputetes të pabazuar ne ligj dhe në prova. SPAK nuk ka dhënë detaje në lidhje me dosjen që ka në ngrkim të Kryemadhit.
Jo zyrtarisht, SPAK ka deklaruar se Kryemadhi duhet të provojë që ky telefon i përket asaj dhe jo dikujt tjetër. Ndonëse në fund të vitit kryeprokurori Altin Dumani gjatë një takimi me gazetarët, e cilësoi sekuestrimin e aprovuar nga gjykata “si një mjet për kërkimin e provës”.
Por ajo që është publike është fakti që SPAK po proceson dy hetime mbi çiftin Meta të bashkuara me një fraksion. Procedimi i parë lidhet me një kallëzim që është bërë në Prokurorinë e Posaçme nga avokati Idajet Beqiri, ku akuzon çiftin Meta për akuzën e Korrupsionit, Pastrimit të parave dhe fshehjes të të ardhurave. Në këtë denoncim përmenden ndërhyrjet estetike që Meta dhe Kryemadhi kanë bërë jashtë vendit, dhe sipas Beqirit nuk kanë deklaruar.
Hetimi i dytë lidhet me episodin e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohur ndryshe si lobimi 700 mijë dollarësh. Në kallëzim thuhet se partia që drejtohej nga Ilir Meta, pagoi mijëra dollar për të lobuar për një fotografi me Donald Trump. Mes letërporosive të përcjella, SPAK po pret ende përgjigje nga Qipro dhe nga San Marino. /ZËRI