
SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka kërkuar nga qeveria e Malit të Zi që të heqë tarifën që paguajnë qytetarët shqiptarë sa herë kalojnë në pikën kufitare. Në konferencë për gazetarët, pas mbledhjes me kryebashkiakët, Rama tha se shqiptarët paguajnë për karton jeshil, gjë që nuk është reciproke me qytetarët malazezë, të cilët futen lirisht në Shqipëri.
“Në fakt, është një problem, kjo puna e tarifës, që po zgjatet pak si shumë. E kemi diskutuar me kryeministrin Dritan Abazovi, edhe me kryeministrin e ri. Ia kam thënë hapur, të lutem duhet të heqësh tarifën që e paguajnë qytetarët tanë kur vijnë andej, gjë që nuk e paguajnë qytetarët malazezë kur vijnë këtej. Ne nuk u marrim asnjë qindarkë fqinjëve,”- tha Rama ndër të tjera.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot në Shkodër një takim me kryebashkiakët, dhe një pjesë të ministrave, ku janë analizuar puna e sfidat e pushtetit vendor. Të pranishëm në këtë takim janë dhe një pjesë e kryebashkiakëve të djathtë që dolën fitues në zgjedhjet e Majit të vitit të kaluar.