Politikë

E mori drejtorin e RAI-t? Rama sqarohet: U skandalizova, Agaçi iu përgjigj pyetjeve, emisioni s'i publikoi

Edi Rama pretendon se nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI-t, por sqaroi se vetëm ka kërkuar që të zhvillojë një bisedë telefonike me të.

k.m.
E mori drejtorin e RAI-t? Rama sqarohet: U skandalizova, Agaçi iu
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet e medias italiane "La Repubblica", e cila në një shkrim të publikuar sot pretendonte se kreu i qeverisë shqiptare ishte "tërbuar" nga reportazhi i emisinit "Report" të RAI3 në Shqipëri. Në një prononcim të dhënë për "ReportTV", Rama pretendon se nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI-t, Paolo Corsini, por sqaroi se vetëm ka kërkuar që të zhvillojë një bisedë telefonike me të. Po ashtu, duke përmendur faktin që Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi do i hedhë në gjyq, duke sqaruar se ai i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve që i janë bërë nga gazetari italian. Por përgjigjia e tij nuk u raportua në finalen e reportazhit. 

Rama theksoi se nuk ka pasur asnjë "telefonatë të tërbuar", ashtu siç pretendojnë mediat italiane. E gjithashtu, shton se ka mbetur i skandalizuar nga reportazhi.

"Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas gënjeshtre të radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujrave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtënxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë,"-tha ndër të tjera kryeministri Rama.

REAGIMI I PLOTË I RAMËS:

Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje! Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij. Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë! Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas gënjeshtre të radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujrave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtënxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë. 

Sot, një ditë pas publikimit të programit "Report" në Rai3 që trajtoi marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, "La Repubblica" shkruan se kryeministri shqiptar ka telefonuar drejtorin e RAI, Paolo Corsini pas dokumentarit dhe media e cilëson reagimin e Ramës si i "tërbuar", për këtë reportazh. 

"Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, duhej që të përballej në telefon me kryeministrin shqiptar Edi Rama, që sipas "La Repubblica" ishte "i tërbuar" për reportazhin e bërë lidhur me çështjen e emigrantëve, një marrëveshje e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë,"-shkruan media italiane për telefonatën Rama-Corsini. 

Megjithatë, media italiane nuk dha asnjë detaj se çfarë mund të jetë diskutuar mes Corsinit dhe kryeministrit shqiptar, telefonatë që kreu i qeverisë e mohon se ka ndodhur.

Të dielën, Report në "Rai3" arriti të bënte zhurmë në të dy vendet pas një analize për marrëveshjen e emigrantëve. Sipas tyre, garanti i kësaj marrëveshje është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Agaçi përshkruhet në dokumentar si avokat i disa trafikantëve të drogës në Itali, ndërsa zbulohet edhe një episod i cili pas transmetimit është cilësuar si korruptiv, ai i lidhur me Fabrizio Lisin, ish-shef në Guardia di Finanzia, të cilit trafikanti shqiptar Artur Shehu i dhuroi 30 hektarë tokë buzë detit, përmes ndërmjetësimit të Agaçit. Vetë Agaçi i quan gjetjet e gazetarëve italianë shpifje, ndërsa paralajmëroi padi për programin./ZËRI

Poll

MOS HUMB