
TIRANË- Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla i është përgjigjur kërkesës që depozitoi dje nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Në përgjigjen e sotme, me anë të një letre zyrtare, Nikolla shkruan se Këshilli për Legjislacionin e ka marrë në shqyrtim çështjen që në muajin janar të vitit të shkuar. E aktualusht, vendimin do ta marrë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Pra sipas nenit 13, pika 7, Këshilli duhet të dalë me një raport, që do të kalojë në Kuvend. Ndaj edhe Nikolla në letër thekson se kërkesa është objekt i organeve të tjera të Kuvendit, jo i Konferencës së Kryetarëve.

"Në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes,"-sqaron në shkresën e saj Nikolla.
Letra e Nikollës:
I nderuar zoti Bardhi,
Në përgjigje të shkresës suaj, nr.1090 prot, datë 25.3.2024, me anë të së cilës kërkohet thirrja e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve me rend dite: “Përfshirjen për shqyrtim në seancën më të afërt plenare të zbatimit të vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, duke urdhëruar dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, ju bëj me dije se:
Këshilli për Legjislacionin, në zbatim të nenit 14 të Rregullores së Kuvendit, ka marrë në shqyrtim vendimet nr. 1 dhe nr. 2, datë 23.1.2023, të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e deputetes Olta Xhaçka. Këshilli për Legjislacionin në përfundim të diskutimeve për shqyrtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në raportin tij ia adreson çështjen për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes
Ç'ka ndodhur me ish-ministren Xhaçka?
Ish-ministrja Olta Xhaçka u akuzua nga opozita se kishte shkelur Kushtetutën, e cila ndalon qartësisht që një deputet të përfitojë nga të mirat publike, por në të kundërt bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi, fitoi statusin ‘investitor strategjik'. Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë institucionit. Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi në korrik një raport, ku i sugjeronte Kryetares së Kuvendit, rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita që mandati i saj të kalonte direkt për votim, e më pas të dërgohej për interpretim në Kushtetuese, ku do të vendosej nëse ajo e kishte shkelur apo jo kushtetutën.
Nikolla, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshme parlamentare, por që nga tetori nuk ka pasur mundësi për të thirrur një mbledhje normale për shkak të bojkotit të opozitës.
Pse u rikthye çështja Xhaçka?
Kërkesa e Gazment Bardhit për Kuvendin vjen vetëm 2 ditë pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, i cili u vendos në pranga pikërisht për tjetërsimin e pronës që ka marrë bashkëshorti i Xhaçkës. SPAK e ka vendosur në pranga Goron, pasi ka gjetur shkelje dhe falsifikim të dokumenteve në favor të Artan Gaçit, por ky i fundit nuk është vendosur në pranga. Pas publikimit të dosjes nga ZËRI, Xhaçka reagoi duke zgjedhur që të mbronte bashkëshortin e saj, duke u shprehur se ai kishte përfituar nga një pronë private, ndonëse gjetjet e SPAK pretendojnë të kundërtën.
Teksa Xhaçka mban ende mandatin e saj, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 5512 m2 truall që i kishte kaluar bashkëshortit të saj, i cili në SPAK u kallëzua nga kryebashkiaku tashmë i dënuar i Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit kallëzoi Gaçin dhe kryebashkiakun Jorgo Goro në SPAK për këtë truall, 5512 metra katrorë tokë, që padrejtësisht i kishte kaluar familjes së Foto Pavllo Mëhillit. Për Belerin, Goro ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte, ndaj edhe socialisti aktualisht ndodhet në pranga./ZËRI