Politikë

U rreshtuan krah Berishës, gati "hakmarrja" e Bashës, do i përjashtojë nga PD

Sot në orën 17:00 pritet që të mblidhet kryesia e Partisë Demokratike e Lulzim Bashës, ku edhe pritet të bëhen disa ‘përjashtime’ të atyre deputetëve që kanë marrë poste drejtuese nga "Rithemelimi".

k.m.
U rreshtuan krah Berishës, gati "hakmarrja" e Bashës, do i
Lulzim Basha

TIRANË- Bashkimi i dy Partive Demokratike nuk ka kaluar pa vëmendjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Ndaj masat për të gjithë ata që iu bashkuan selisë blu dhe u rreshtuan në krah të Sali Berishës, do të përballen sot me "masat" kundër tyre. Sot në orën 17:00 pritet që të mblidhet kryesia e Partisë Demokratike e Lulzim Bashës, ku edhe pritet të bëhen disa ‘përjashtime’ të atyre deputetëve që kanë marrë poste drejtuese nga "Rithemelimi". Përveç Gazment Bardhit, i cili është 'ndëshkuar' më parë, të radhës që pritet të ndëshkohen nga Basha janë Agron Gjekmarkaj, Ervin Salianji, e të tjerë deputetë që janë bërë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike.

Një javë më parë, bashkimi i dy Partive Demokratike u zyrtarizua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Pas bashkimit, PD tanimë ka 4 nënkryetarë, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin, Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkaj. Anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit sipas ndryshimeve të reja statutore që u miratuan janë: Ervin Salianji, i cili mori gjithashtu edhe postin e nënkryetarit të grupit parlamentar; Zheni Gjergji – (Kryetare, Komisioni i Shëndetësisë); Dhurata Çupi – (Zëvendës kryetare, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë); Helidon Bushati – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin); Tomorr Alizoti – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Politikën e Jashtme) dhe Ferdidant Xhaferri – (Zëvendës kryetar, Komisioni për Sigurinë Kombëtare). Ende e pavendosur, mes dy PD-ve, është deputetja Jorida Tabaku, e cila nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e asnjërit prej grupimeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB