Politikë

'Vatikan-i i Bektashinjve brenda Tiranës'/ Rama zbulon planin, Baba Mondi: S'do jem diktator (HESHTJE nga politika)

Më shumë detaje për planet e shtetit më të ri, i dha vetë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur edhe si Baba Mondi.

k.m.
'Vatikan-i i Bektashinjve brenda Tiranës'/ Rama zbulon planin,
Edi Rama dhe Baba Mondi

TIRANË- Shqipëria do të ketë Vatikanin e saj! Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duket se ka premtuar t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Lajmi, edhe për Shqipërinë, u dha nga media e huaj "New York Times". Në shkrimin e publikuar sot, sipas kryeministrit Edi Rama, në krye të shtetit më të ri brenda shtetit do të jetë Baba Mondi.

“Shteti i tij do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë një territor me madhësinë e pesë blloqeve, do të lejojë alkoolin, do t'i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe nuk do të vendosë rregulla,"- shkruan "NYT".

Kryeministri Rama tha në një intervistë se qëllimi i shtetit të ri është të promovojë bashkëjetesën fetare për të cilën Shqipëria krenohet.

"Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, e cila është toleranca fetare dhe të cilën nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,"-shtoi kryeministri. 

Më shumë detaje për planet e shtetit më të ri, i dha vetë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur edhe si Baba Mondi, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në një intervistë për "ReportTV". Për këtë lajm të madh që të gjithë e mësuam sot, ai tha shkurt se: Nuk do të jem diktator! Ndër dekaratat e tij, ai zbuloi se kush do ta ketë të drejtën që të bëhet "shtetas" i këtij urdhëri, por ka edhe përgjigje për ata që mund të jenë kritik ose skeptik. Baba Mondi është i qartë dhe thotë se nuk kërkon pushtet apo ndikim politik, por kërkon të jetë fener i vlerave. 

PJESË NGA INTERVISTA:

Report Tv: Kush do të ketë të drejtë të përfitojë shtetësinë e këtij Urdhri?

Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Shtetësia në Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet tek anëtarët e klerit dhe ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në administrimin e shtetit, ngjashëm me mënyrën se si është strukturuar shtetësia në Vatikan. Kjo sepse fokusi ynë është te qeverisja shpirtërore, jo te krijimi i një popullsie të madhe, të përcaktuar politikisht. Shteti ynë i ri është kryesisht një ent shpirtëror dhe qëllimi është të ruajë aftësinë e Urdhrit Bektashi për të funksionuar në mënyrë të pavarur në çështjet e tij fetare dhe administrative. Thënë kështu, ndërsa shtetësia e përgjithshme nuk do të shtrihet për të gjithë ndjekësit, sovraniteti do të sigurojë një bazë të sigurt për komunitetin bektashi në mbarë botën që të vazhdojë praktikat e tyre fetare pa ndërhyrje. Urdhri do të shërbejë si një shtëpi shpirtërore për besimtarët Bektashinë anembanë globit, duke u ofruar atyre një vend strehimi dhe përfaqësimi, edhe nëse ata nuk janë qytetarë zyrtarë.

Report Tv:-Kritikët mund të argumentojnë se kjo lëvizje e sovranitetit është politike. Si i përgjigjeni kësaj?

Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Ndërsa ne po bëhemi vërtet një shtet sovran, fokusi ynë është tërësisht shpirtëror, jo politik. Sovraniteti i dhënë Urdhrit Bektashi ka të bëjë me ruajtjen e pavarësisë sonë për të përmbushur misionin tonë për të promovuar paqen, tolerancën dhe dialogun. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare. Urdhri Bektashi ka qëndruar gjithmonë mbi grindjet politike dhe ky status i ri është një njohje e kontributit tonë në nxitjen e paqes. Ai është krijuar për të na lejuar të veprojmë pa kufizimet e ndikimit politik, në mënyrë që të mund të fokusohemi vetëm në zhvillimin shpirtëror dhe moral të ndjekësve tanë, dhe si rrjedhojë, të gjithë atyre që kërkojnë paqe dhe bashkëjetesë.

Report Tv: Çfarë mesazhi keni për ata që e shohin me skepticizëm krijimin e këtij shteti të ri?

Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Për ata që janë skeptikë, do t'u thosha këtë: sovraniteti ynë ka të bëjë me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të paqes dhe lirisë fetare. Ne nuk jemi të interesuar për pushtet politik apo zgjerim territorial. Kjo nismë është tërësisht shpirtërore. Statusi ynë i ri sovran siguron që zëri i moderuar dhe i dialogut të Urdhrit Bektashi të lulëzojë, pa presione të jashtme politike. Ne jetojmë në një botë që polarizohet gjithnjë e më shumë dhe tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zëra që mbështesin tolerancën dhe bashkëjetesën. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të jetë një fener i këtyre vlerave dhe ftoj skeptikët ta shohin këtë si një mundësi për të gjitha kombet dhe besimet që të bashkohen në emër të paqes.

Në një intervistë tjetër, Baba Mondi iu përgjigj duke thënë se nisma është plotësisht e ideuar dhe propozuar nga shefi i qeverisë shqiptare.

“Lajmi se Shqipëria mund t’i japë sovranitet Urdhrit Bektashi për pavarësi territorial na ka befasuar. Ne nuk e kemi kërkuar dhe nuk pretendojmë të krijojmë një shtet Mysliman. Nisma është tërësisht e kryeministrit Rama. Nuk jemi pyetur, mbi ato që Kryeministri ka deklaruar në ‘The New York Times’”, tha Baba Mondi për A2.

Deri më tani dihet Baba Mondit do t'i jepet një copë toke prej 27 hektarësh dhe do të ketë administratën, pasaportën dhe kufijtë e saj.Po ashtu, Kryegjyshata do të ketë një sallë mbledhjesh dhe lutjesh me kupolë, një muze që tregon historinë e urdhrit, një klinikë, një arkivë dhe zyrat administrative të Baba Mondit. Një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë.

Ky ligj më pas do të duhet të miratohet nga Parlamenti. Aktualisht, është e paqartë se cilat vende, nëse ka, do të pranojnë të njohin sovranitetin e bektashinjve. Po aq i paqartë është edhe qëndrimi i opozitës lidhur me këtë vendim të kryeministrit Rama. Partia Demokratike ende nuk është shprehur publikisht, ndërkohë me kërshëri pritet edhe reagimi i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Si një besimtar bektashi, Meta është parë shumë herë pranë Baba Mondit, por ende nuk e ka shprehur hapur mbështjetjen e tij për nismën e prezantuar nga Rama që aktualisht është kundërshtari i tij politik./ZËRI

Poll

MOS HUMB