Politikë

Veliaj jep premtimin: Nga 1 Janari 2025 transporti për pensionistët do të jetë falas

Veliaj tha se transporti publik në Tiranë ka nevojë që të modernizohet

E.K
Veliaj jep premtimin: Nga 1 Janari 2025 transporti për pensionistët do
Erion Veliaj

TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka premtuar ndryshimin rrënjësor të transportit publik në Tiranë, duke vënë në punë më shumë mjete elektrike, që i shërbejnë edhe uljes së ndotjes së mjedisit në kryeqytet. Po ashtu Veliaj premtoi se nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, të gjithë pensionistët nuk do të paguajnë biletën për transportin brenda qytetit.

“Votat tona në Tiranë janë mbi 160 mijë dhe është e pamundur autobusin ta përdorin vetëm socialistët. Ndaj, për këta 200 mijë qytetarë, që nuk ndahen në të majtë dhe të djathtë, që nuk ndahen në këtë parti apo në atë parti, përgjigja jonë është: Ne do ta modernizojnë transportin publik të Tiranës. Vite më parë, kishim problematika të botës së tretë në Tiranë, ku njerëzit binin në pusetën para Presidencës.

Sot flasim për një Tiranë që është transformuar totalisht, dhe me kredinë e BE dhe KFË gjermane, mund të modernizojmë transportin publik dhe nga 1 Janari 2025, për pensionistët ta bëjmë falas transportin publik. Dëgjova se PD-ja do të përpiqet, si gjithmonë, të sabotojë Tiranën. E bënte këtë në kohë të Edi Ramës, kur e sabotoi qytetin në mënyrën më mizore të mundshme.

A thua se edhe vetë nuk jetonte në Tiranë!? Kërkon ta bëjë edhe sot me këta të tjerët që derdhin gjak për mandate votash, duke thënë se do të votojë kundër këtyre 200 mijë qytetarëve që e përdorin transportin publik, kundër pensionistëve që ta kenë transportin falas, dhe kundër një qyteti që ka vite që nuk i voton më, i cili në fushatën e fundit na dha fitoren më të thellë në histori me 60 mijë vota diferencë”, tha Veliaj.

Veliaj tha se kryeqyteti ka nevojë për reformim të mëtejshëm, ndërsa ironizoi edhe protestat e opozitës përpara Bashkisë që ai drejton.

“Tirana ka nevojë të modernizohet, ka nevojë për shërbime, për infrastrukturë. Nëse ke hapur 1 mijë kantiere, patjetër duhen verifikuar, dhe nëse në tre kantiere ka një problem, patjetër që duhet bashkëpunuar me drejtësinë. Por, Tirana nuk ndalet nga molotovi! Sa më shumë molotov, aq më shumë punë! Sa më shumë sherr, aq më shumë shkolla! Sa më shumë injorancë dhe padije, aq më shumë infrastrukturë kulturore! Ky është i vetmi ilaç. Unë nuk njoh ilaç tjetër për injorancën përveçse të ndërtojmë dhe të ketë më shumë kulturë.

Unë nuk njoh ilaç tjetër për dhunën, ose do ta pranosh, ose do ta kurosh me punë dhe të sigurohesh që qyteti gjithmonë e më shumë i kthen sytë nga puna dhe jo nga dhuna. Nuk njoh ilaç për sherrin, përveçse frymës së bashkëpunimit. Ndonëse kemi një ilaç për korrupsionin dhe reforma e re në drejtësi po adreson shumë prej këtyre temave, dua të them këtë: Shumica dërrmuese nuk shkojnë në punë për të bërë keq, shkojnë në punë për të bërë mirë, për të çuar përpara nderin e familjes së tyre, për të jetuar me respekt dhe për të kontribuar për qytetin tonë, për bashkësinë tonë, për komunitetin tonë”, tha Veliaj.

Poll

MOS HUMB