
TIRANË- GJKKO ka vendosur ‘arrest në shtëpi’ për Sali Berishën i cili po hetohet për çështjen e Kompleksit ‘Partizani’. Kjo masë ka ardhur pas refuzimit të mëhershëm të ish-kryeministrit Berisha për të zbatuar ‘detyrim paraqitje’, ndërsa GJKKO ka vendosur që këtij të fundit t’i ndalohet komunikimi me çdokënd që nuk është bashkëjetues me të dhe të mbikqyret me policë.
Vetë Sali Berisha nuk ka bërë asnjë reagim mbi këtë vendim, ndërsa i biri, Shkëlzeni ka shkruar në Facebook se kjo ishte kartolina e Edi Ramës për fundvit ndaj liderit të opozitës.
"Kartolina e Rames per Vitin e Ri eshte arrestimi dhe izolimi i liderit te opozites!", shkruan Shkëlzen Berisha në Facebook.
Gjykata e Posaçme pranoi sot kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie"./ZËRI