Politikë

Takimi me diasporën në Greqi, Mitsotakis: E panevojshme! Rama i kundërpërgjigjet: Shkoj për shqiptarët

Ai është shprehur se Rama nuk është i ftuar i qeverisë, por vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij. 

f.t
Takimi me diasporën në Greqi, Mitsotakis: E panevojshme! Rama i
Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Rama

GREQI- Vizita e kryeministri shqiptar Edi Rama në Greqi duket se ka hapur një diskutim. Në distancë homologët e vendeve fqinje janë 'përplasur'. I pari ka qenë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili e ka quajtur të panevojshme vizitën e Ramës në Greqi. Mitsotakis është shprehur se kryeministri shqiptar nuk është i ftuar i qeverisë, por vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij. 

“Ai vjen, për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Por përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që në kohën e tanishme, në kushtet e zgjedhjeve evropiane, më duket mjaft i panevojshëm. Qeveria greke nuk mundet, ne jemi demokraci, ne nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit që është e garantuar me kushtetutë, ndaj nuk i kushtoj kaq shumë rëndësi kësaj”,- është shprehur ai për Protothema.

Pjesë nga intervista:

Gazetari : Por në kuptimin që ai ka kërkuar një sallë të hapur për një tubim të madh? Nuk e di tani me Fredi Belerin në burg dhe një grup të madh njerëzish që festojnë për zotin Rama nëse është…

Kyriakos Mitsotakis: Prandaj thashë se ishte një zgjedhje e panevojshme. Kemi probleme në marrëdhëniet greko-shqiptare…

Gazetari: Nuk do ta ndaloni këtë tubim?

Kyriakos Mitsotakis: Jo, nuk do ta ndalojmë.

Gazetari: Edhe nëse bëhet në një vend të hapur?

Kyriakos Mitsotakis: Por sigurisht që nuk është edhe diçka që ne të kemi ndonjë arsye të veçantë për ta lehtësuar. Ne as nuk do ta ndalojmë dhe as do ta lehtësojmë. Por më lejoni t’ju them edhe një gjë: në të vërtetë ky rast ka krijuar një tension të madh në marrëdhëniet greko-shqiptare. Çështja nuk është dypalëshe, është evropiane, pavarësisht atyre që pretendojnë se është një çështje që ka të bëjë vetëm me pakicën kombëtare greke. Bëhet fjalë për shtetin e së drejtës dhe mënyrën sesi Shqipëria i trajton minoritetet, ka të bëjë me mënyrën se si funksionon gjyqësori shqiptar. Qeveria greke do të vazhdojë të ngrejë këto çështje. Dhe dua t’ju kujtoj se në fletën tonë të votimit nuk kemi një, por dy përfaqësues nga minoriteti grek dhe veçanërisht me Himarën si pikë referimi. Dhe të them edhe diçka tjetër: kemi edhe një përfaqësues të pakicës myslimane në fletëvotimet tona.

Nuk ka munguar përgjigjia nga Rama, i cili ka mbetur i befasuar nga deklaratat e homologut të tij. Rama i ka dhënë të drejtë Mitsotakis, ku shprehet se Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë dhe të takojnë bashkatdhetarët e tyre. Kreu i qeverisë ka theksuar se vizita e tij në Athinë nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare.

"Është mjaft befasuese të dëgjosh deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek. Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen pse disa janë në opozitë, ndërsa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli. Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t'i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre. Vizita ime e ardhshme në Athinë të dielën, më 12, nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare. Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuara prej kohësh në disa vende evropiane, duke përfshirë Greqinë, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh, për t'u angazhuar me bashkëkombasit e mi jashtë vendit dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë për ta dhe për Vizionin tonë Shqipëri 2030. Vizita ime në fqinjin mik Greqinë,"-shkruan Rama në Facebook. 

Por duket se kundër vizitës të Ramës është edhe opozita greke. Partia opozitare greke "SYRIZA" e quan takimin e Ramës si një provokim nisur nga fakti se në 12 Maj është edhe përvjetori i paraburgimit të Kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i arrestuar për shit-blerje votash pak para zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

“Vizita e paralajmëruar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Greqi, në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit, është një veprim provokues, i cili nxjerr në pah mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor nga Qeveria e Mitsotakis Nënvizon zgjedhjet e tij komunikuese të deritanishme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe, nuk nxjerrin në pah realisht çështjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe nuk mbrojnë efektivisht të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të drejtat që rrjedhin si nga e drejta ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo komunitare, veçanërisht duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit. Qeveria Mitsotakis, siç u pa edhe në periudhën parazgjedhore, e trajton pakicën etnike greke si mjet për përfitime të vogla partiake. Edhe një herë në pak 24 orë, vërtetohet se sa e rrezikshme është politika e jashtme e Mitsotakis për interesat kombëtare,”- shprehet SYRIZA.

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Greqinë në datën 12 maj në zhvillim të planit të tij për takim me shqiptarët e diasporës. Vizita e paralajmëruar e kryeministrit Edi Rama, për të takuar shqiptarët në Greqi, duket se ka trazuar ujërat në Athinë, dhe është në pikëpyetje nëse do të zhvillohet apo jo deri në momentet e fundit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB